Senatori amerikan shpreh mbështetje për studentët propalestinezë

Senatori amerikan shpreh mbështetje për studentët propalestinezë

Senatori amerikan Bernie Sanders shprehu mbështetje për studentët që protestojnë kundër sulmeve të Izraelit në Rripin e Gazës, transmeton Anadolu.

“Në vitin 1962, ne organizuam protesta për t’i dhënë fund politikave raciste në Universitetin e Çikagos. Në vitin 1963, unë u arrestova duke protestuar për shkollat e ndara. Por kishim të drejtë”, ka shkruar Sanders në X.

“Jam krenar që shoh studentët që protestojnë kundër luftës në Gaza. Qëndroni të qetë dhe të përqendruar. Ju jeni në anën e duhur të historisë”, ka deklaruar Sanders.

Sanders më parë ka thënë se studentët, duke përfshirë edhe atë, iu bashkuan demonstratave 60 vjet më parë për të kërkuar fundin e Luftës së Vietnamit.

“Ky mund të jetë Vietnami i Bidenit”, ka thënë ai, duke theksuar se presidenti Joe Biden po e vendos veten në një pozitë të dobët, politikisht dhe moralisht, me mbështetjen e tij për Izraelin.

Më shumë se 2.000 njerëz, përfshirë studentë, janë arrestuar gjatë demonstratave propalestineze në SHBA, me protestuesit që kërkojnë distancimin e universiteteve nga Izraeli dhe dënimin e sulmeve në Gaza, ku janë vrarë më shumë se 34.000 viktima.

Demonstratat mbarëkombëtare morën vrull muajin e kaluar pasi Universiteti Columbia i kërkoi Departamentit të Policisë së New Yorkut që të dëbonte me forcë studentët që organizuan një kamp në lëndinën e kampusit. Më shumë se 100 persona u arrestuan, por protestuesit u rikthyen shpejt dhe zhvilluan një tjetër protestë.

Ata u larguan me forcë të martën vonë nga policia nga ai vend, si dhe nga një ndërtesë që ata pushtuan.

Studentët në vende të tjera duke përfshirë Kanadanë, Australinë, Francën dhe Egjiptin kanë organizuar gjithashtu demonstrata në universitete në solidaritet me Palestinën.

MARKETING