Sekretari Rubio shkon në Arabinë Saudite, për bisedime me zyrtarët ukrainas

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, mbërrin në Xhedah të Arabisë Saudite, të hënën për bisedimet SHBA-Ukrainë, ndërsa Presidenti Donald Trump po bën përpjekje për të ndërmjetësuar një fund të shpejtë të luftës Rusi-Ukrainë.
Në Xhedah, zoti Rubio do të takohet gjithashtu me princin saudit të kurorës Mohammed bin Salman Al Saud për të diskutuar mbi rrugët mënyrat për të avancuar interesat e përbashkëta në rajon dhe për të forcuar marrëdhëniet dypalëshe, tha zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Tammy Bruce.
Sipas Departamentit të Shtetit, Sekretari Rubio “nënvizoi vendosmërinë e Presidentit Trump për t’i dhënë fund luftës sa më shpejt të jetë e mundur dhe theksoi se të gjitha palët duhet të ndërmarrin hapa për të siguruar një paqe të qëndrueshme” në një telefonatë të premten me ministrin e Jashtëm ukrainas Andrii Sybiha.
Të hënën, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy do të vizitojë Arabinë Saudite për një takim me Princin e Kurorës, Mohammed bin Salman.
Më pas, një delegacion diplomatik dhe ushtarak ukrainas i kryesuar nga shefi i shtabit të zotit Zelenskyy, Andriy Yermak, do të qëndrojë në Arabinë Saudite për bisedime me zyrtarët amerikanë.
Ekipi ukrainas do të përfshijë gjithashtu kryediplomatin Sybiha, Ministrin e Mbrojtjes Rustem Umerov dhe komandantin ushtarak Pavlo Palisa.
Në delegacionin amerikan që shkon në Xhedah për bisedime me zyrtarët ukrainas, përveç zotit Rubio do të jenë edhe Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Mike Waltz dhe i dërguari i posaçëm i Presidentit Trump, Steve Witkoff.
Zoti Witkoff u ka thënë gazetarëve se “ideja është të arrihet një kornizë për një marrëveshje paqeje si edhe për një armëpushim fillestar.”
Bisedimet SHBA-Ukrainë do të zhvillohen tre javë pasi zyrtarë të lartë amerikanë mbajtën bisedime me zyrtarë rusë në Riad.