Scholz vendos kushte për tanket/ Gjermania, në dilemë për të dërguar “Leopard 2” në Ukraine

Scholz vendos kushte për tanket/ Gjermania, në dilemë për të dërguar “Leopard 2” në Ukraine

Kancelari gjerman Olaf Scholz nga Davosi i premtoi Ukrainës mbështetjen e pakufishme të Gjermanisë, por pa specifikuar se kur Berlini do të dërgojë tanket “Leopard 2”, për të cilët Kievi ka bërë thirrje prej disa muajsh.
Scholz përmendi sistemin e mbrojtjes ajrore “Patriot” të premtuar nga qeveria federale. Ai e cilësoi ndihmën ushtarake për Ukrainën një pikë të thellë kthese në politikën e jashtme dhe të sigurisë gjermane, teksa shtoi se Rusia tashmë ka dështuar me luftën e saj imperialiste.
Sipas një zyrtari të qeverisë gjermane, Berlini do të furnizojë me tanke Ukrainën nëse SHBA-të bëjnë të njëjtën gjë. Aleatët e NATO-s i kanë kërkuar Gjermanisë që të dërgojnë Leopardët si dhe të lejojë anëtarët e tjerë të aleancës, të cilët kanë blerë tanket nga Gjermania, t’i dërgojnë ato në fushëbetejë.
Berlini mund të vërë veton ndaj dërgimit të Leopardëve gjermanë në Ukrainë. Deri më tani, Scholz është shprehur kundër këtij akti, duke argumentuar se Gjermania nuk duhet të veprojë pa u konsultuar me të tjerët.
Nga ana tjetër, Kievi dhe shumica e ekspertëve të mbrojtjes i shohin leopardët gjermanë si zgjidhja ideale për Ukrainën.

MARKETING