Save the Children: Më shumë se 270 fëmijë të vrarë në sulmet izraelite në Gaza në një javë

Organizata ndërkombëtare e ndihmës humanitare “Save the Children” ka reaguar ndaj vdekjes së 270 fëmijëve palestinezë në sulmet izraelite në Gaza në më pak se një javë, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë të bërë në platformën sociale X të organizatës me bazë në Mbretërinë e Bashkuar, thuhet se më shumë se 270 fëmijë kanë humbur jetën në Gaza brenda një jave për shkak të sulmeve ajrore izraelite.
“Bombat po bien, spitalet po shkatërrohen, fëmijët po vriten dhe bota është e heshtur”, ka thënë Rachael Cummings, Drejtoreshë e Ndihmave Humanitare në “Save the Children”.
“Nuk ka ndihmë, nuk ka siguri, nuk ka të ardhme”, ka thënë Cummings për situatën në Gaza, ku numri i të vdekurve nga sulmet izraelite ka kaluar shifrën 50.000 që nga tetori 2023.
Izraeli vendosi të ndalojë hyrjen e ndihmave humanitare në Rripin e Gazës që nga 2 marsi, pas përfundimit të fazës së parë 42-ditore të marrëveshjes së armëpushimit dhe shkëmbimit të të burgosurve me Hamasin që u arrit në janar.
Pas shkeljes së armëpushimit, ushtria izraelite rifilloi sulmet e dhunshme në Rripin e Gazës në mëngjesin e 18 marsit. Që kur ushtria izraelite rifilloi sulmet e saj, më shumë se 792 palestinezë, kryesisht të moshuar, gra dhe fëmijë, janë vrarë dhe më shumë se 1.663 persona janë plagosur.