Samsung dhe Apple po zhvillojnë versione më të mëdha të telefonave të palosshëm
Samsung dhe Apple thuhet se po punojnë për zhvillimin e versioneve më të mëdha të telefonave të tyre të palosshëm, të cilat mund të prezantohen gjatë vitit 2027.
Sipas një raportimi të ri, të dyja kompanitë po shqyrtojnë pajisje më të mëdha se modelet aktuale Galaxy Z Fold8 dhe iPhone Duo, transmeton Telegrafi.
Nëse këto plane realizohen, në treg mund të përballen Galaxy Z Fold9 Plus dhe iPhone Duo 2 Plus, emërtime që për momentin mbeten vetëm hipotetike.
Një zhvillim i tillë nuk do të ishte i papritur, duke pasur parasysh se Samsung Display mund të jetë duke zhvilluar ekrane më të mëdha të palosshme për Samsung Electronics. Në të njëjtën kohë, teknologjia mund t’i ofrohet edhe Apple, ose anasjelltas.
Megjithatë, informacioni vjen nga një burim i vetëm në platformën X dhe ende nuk është konfirmuar nga asnjëra prej kompanive. Për këtë arsye, raportimi duhet marrë me rezervë, pasi nuk përjashtohet mundësia që pretendimet të mos jenë të sakta.
Një prej pikëpyetjeve kryesore lidhet edhe me përdorshmërinë e këtyre pajisjeve. Nëse versionet Plus ruajnë të njëjtin raport të përmasave si Galaxy Z Fold8 dhe iPhone Duo, ekranet e jashtme mund të bëhen aq të gjera sa përdorimi i tyre me një dorë të jetë mjaft i vështirë.
Për momentin nuk ka detaje të tjera për planet e mundshme të Samsungut dhe Apple, ndërsa mbetet të shihet nëse këto pajisje do të kalojnë nga faza e zhvillimit në produkte konkrete.

