Saliu: 50 milion denarë shtesë në buxhet për mbështetjen e personave me aftësi të kufizuara

Deputetja e koalicionit VLEN, Imerlije Saliu, ka bërë të ditur se është miratuar amendamenti i propozuar prej saj për ndarjen e 50 milion denarëve shtesë në Buxhetin e vitit 2025, dedikuar personave me aftësi të kufizuara.
Përmes një deklarate publike, Saliu theksoi se ky është një hap konkret drejt përmirësimit të kushteve të jetesës për mbi 10,800 qytetarë që përfitojnë kompensime për aftësi të kufizuara intelektuale, trupore, si dhe për dëmtime të plota të shikimit apo dëgjimit.
“Kompensimet do të rriten nga 10 deri në 15%, në përputhje me rritjen e kostos së jetesës, duke përmirësuar ndjeshëm mirëqenien e përfituesve,” deklaroi ajo.
Deputetja theksoi se për koalicionin VLEN, përfshirja sociale, dinjiteti dhe barazia janë parime të panegociueshme.
“Personat me aftësi të kufizuara nuk janë vetëm,” u shpreh Saliu, duke përmbyllur deklaratën e saj me një mesazh solidariteti dhe përkushtimi për ndërtimin e një shoqërie më të drejtë dhe më gjithëpërfshirëse.