Sali Berisha: Do shpëtojmë Shqipërinë nga diktatura e dytë

Sali Berisha: Do shpëtojmë Shqipërinë nga diktatura e dytë

Kryetari i Partisë Demokratike dhe i koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Madhështore”, Sali Berisha, zhvilloi pasditen e së dielës një takim me emigrantët shqiptarë në qytetin e Brescias, ku theksoi rolin e jashtëzakonshëm të diasporës shqiptare në ruajtjen e vlerave kombëtare dhe demokratike.

Në fjalën e tij para komunitetit, Berisha u shpreh se emigrantët shqiptarë në Itali përfaqësojnë sakrificën dhe përkushtimin e vërtetë për Shqipërinë, duke shtuar se Partia Demokratike ndan të njëjtat vlera me diasporën.

“Vetë historia juaj është burim frymëzimi. Ju jeni shqiptarët e sakrificave të mëdha, të vuajtjes nga diktatura komuniste, por edhe të ndershmërisë dhe suksesit në mërgim. Viva Italia!” – deklaroi Berisha, duke falënderuar popullin italian për mikpritjen ndaj shqiptarëve.

Gjatë fjalimit të tij, ai iu drejtua emigrantëve me një thirrje për mbështetje në zgjedhjet e 11 majit, duke theksuar se PD është ringritur për të mbrojtur demokracinë dhe interesin kombëtar.

“Kaluan tre vite luftë të ashpër kundër nesh për të eliminuar opozitën, por si diaspora që fitoi çdo sfidë, edhe ne u ringritëm nga hiri. Kemi një mision të shenjtë: të shpëtojmë Shqipërinë nga diktatura e dytë,” tha Berisha, duke e cilësuar qeverisjen aktuale si kërcënim për pluralizmin.

Takimi në Brescia është pjesë e turit të tij me emigrantët shqiptarë në Itali, në kuadër të fushatës për zgjedhjet e ardhshme.

MARKETING