Salah ndërpret pushimet pas vdekjes së Jotës: E pamundur të pranohet mungesa e Diogos kur të rikthehemi

Salah ndërpret pushimet pas vdekjes së Jotës: E pamundur të pranohet mungesa e Diogos kur të rikthehemi

Bota e futbollit është tronditur thellë nga lajmi tragjik për vdekjen e sulmuesit të Liverpoolit, Diogo Jota, dhe vëllait të tij në një aksident të rëndë automobilistik në Spanjë.

Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, makina Lamborghini me të cilën udhëtonin dy vëllezërit shpërtheu në gomë gjatë një parakalimi në autostradën A-52 pranë Zamorës, vetëm 10 milje nga kufiri me Portugalinë. Automjeti u përmbys dhe shpërtheu në flakë, duke i lënë të vdekur në vend.

Vëllai i Jotës, André Silva (26 vjeç), ishte futbollist i ekipit portugez Penafiel në kategorinë e dytë.

Pas lajmit të rëndë, Mohamed Salah ka vendosur të ndërpresë menjëherë pushimet dhe të rikthehet në Angli, përpara nisjes së fazës përgatitore të sezonit të ri. Sipas “Yallakora” në Egjipt, Salah pritet të kthehet në Angli të premten.
Gjatë ditëve të fundit, ylli egjiptian ishte parë me pushime në Bodrum (Turqi), Mykonos (Greqi) dhe Mombasa (Kenia), duke ndarë momente nga relaksi i tij në rrjetet sociale. Por gjithçka ka marrë fund pas lajmit që ka sjellë zi në kampin e Liverpoolit.

Salah, ka shprehur ngushëllimet e tij të thella për familjen e ish-bashkëlojtarit të tij, Diogo Jota, i cili tragjikisht humbi jetën së bashku me vëllain në një aksident në Spanjë.

“Vërtet nuk kam fjalë. Deri dje, nuk mendoja kurrë se do të kishte diçka që do të më frikësonte nga rikthimi në Liverpool pas pushimit.”

Ai shton se prania e Diogos në skuadër do të jetë e pazëvendësueshme: “Shokët e ekipit vijnë e shkojnë, por jo kështu. Do të jetë jashtëzakonisht e vështirë të pranohet që Diogo nuk do të jetë aty kur të kthehemi.”

“Mendimet e mia janë me gruan e tij, fëmijët e tij dhe sigurisht prindërit e tij që humbën papritur fëmijët e tyre. Ata që janë afër Diogos dhe vëllait të tij, Andres, kanë nevojë për gjithë mbështetjen që mund të marrin. Ata nuk do të harrohen kurrë.”

Diogo Jota ishte nisur me makinë drejt Mbretërisë së Bashkuar pas martesës së tij më 22 qershor me partneren Rute, në një ceremoni në Porto.

MARKETING