Sadiku: Banorët e Likovës dhe Nikushtakut nuk do të vuajnë më nga mungesa e ujit

Sadiku: Banorët e Likovës dhe Nikushtakut nuk do të vuajnë më nga mungesa e ujit

Kandidati i VLEN për kryetar të komunës së Likovës, Nexhmedin Sadiku, ka akuzuar BDI-në për keqmenaxhim dhe injorim të qytetarëve, duke thënë se për dekada banorët e Likovës dhe Nikushtakut po përballen me mungesë të ujit të pijshëm.
“Sot jam këtu për të ngritur zërin për dhjetëra mijëra qytetarë të Likovës dhe Nikushtakut, të cilët përballen me një krizë që nuk duhet të ekzistojë në shekullin XXI. Ky është një realitet tronditës që prek çdo shtëpi, çdo familje dhe çdo fëmijë”, deklaroi Sadiku.

Ai theksoi se ky problem, përveçse dëmton jetën e përditshme të banorëve, jep një mesazh negativ edhe për mërgimtarët që vizitojnë vendlindjen.
“Kjo mungesë është si rezultat i keqmenaxhimit të BDI-së, e cila për shumë vite ka injoruar qytetarët, duke i lënë të presin para cisternave dhe çezmeve publike për të siguruar ujin, themelin e jetës”, shtoi ai.

Sadiku premtoi se pas fitores në tetor, do të nis menjëherë puna për ndërtimin e sistemeve moderne të ujësjellësit dhe sigurimin e furnizimit të qëndrueshëm me ujë për të gjitha familjet.

“Nuk do të ketë më premtime boshe. Çdo familje, çdo fëmijë dhe çdo banor i këtij rajoni do të ketë ujë të pastër dhe të sigurt në shtëpinë e tij. Uji i pastër nuk është luks, është e drejta e çdo familjeje. Ky nuk është vetëm një premtim, është një betim për të ardhmen”, tha ai.

Sipas tij, ky është ndryshimi që sjell VLEN, “puna konkrete, përgjegjësia dhe respekti për qytetarët”, duke i dhënë fund indiferencës politike dhe duke kthyer dinjitetin për banorët e Likovës dhe Nikushtakut.

MARKETING