Rutte: Shkëmbimi i informacioneve të inteligjencës mes SHBA-së dhe Ukrainës nuk është ndërprerë

Rutte: Shkëmbimi i informacioneve të inteligjencës mes SHBA-së dhe Ukrainës nuk është ndërprerë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte tha sot se shkëmbimi i informacioneve të inteligjencës midis SHBA-së dhe Ukrainës nuk është ndërprerë, duke iu referuar deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump, transmeton Anadolu.

MARKETING

Shik.mk

Duke folur në një konferencë të përbashkët për mediat me kryeministrin e Estonisë, Kristen Michal në Talin, Rutte tha se Trumpi e ka bërë të qartë se shkëmbimi i inteligjencës po vazhdon. “Mendoj se presidenti ishte shumë i qartë dje kur pati një moment të shkurtër me mediat duke u larguar nga Shtëpia e Bardhë për një aktivitet fushate, kur tha se shkëmbimi i inteligjencës nuk ka ndaluar”, deklaroi Rutte.

Komentet e tij erdhën në përgjigje të një pyetjeje nëse kishte biseduar me Trumpin pas raportimeve se SpaceX ka ulur shpejtësinë e Starlink për përdoruesit ukrainas. “Me ardhjen e dimrit dhe me agresionin e pamëshirshëm të Rusisë, aleatët duhet të bëjnë më shumë, veçanërisht në mbështetje të mbrojtjes ajrore”, tha ai duke shtuar se veprimet e Rusisë nuk do ta dobësojnë vendosmërinë e aleancës.

“(Presidenti rus Vladimir) Putin po përpiqet të dobësojë vendosmërinë tonë dhe të ndalojë mbështetjen tonë për Ukrainën, por Rusia po dështon. Ajo po dështon në fushën e betejës në Ukrainë dhe ne nuk do të frikësohemi”, tha Rutte, duke i përshkruar aktivitetet e dyshuara hibride të Rusisë si një shenjë “dobësie”.

Ai tha se NATO është e përgatitur për kërcënimet hibride dhe kibernetike ruse dhe ka opsionet e nevojshme të reagimit, megjithëse jo të gjitha përgjigjet do të bëhen publike. I pyetur nëse Rusia mund të marrë në konsideratë sulmin ndaj një shteti anëtar të NATO-s, Rutte tha se aleanca nuk sheh asnjë kërcënim të menjëhershëm për territorin e saj.

Ai vuri në dukje se NATO do t’i mbrojë anëtarët e saj, por theksoi se aleanca mbeti rreptësisht mbrojtëse. “Ne kurrë nuk do të ndërmarrim sulm ndaj askujt tjetër sepse kjo nuk është në interesin tonë”, shtoi Rutte.

MARKETING