Rusia: U parandalua sulm i Ukrainës me dron në rajonin e Moskës

Rusia: U parandalua sulm i Ukrainës me dron në rajonin e Moskës

Ministria ruse e Mbrojtjes tha se është parandaluar një përpjekje e Ukrainës për të sulmuar kryeqytetin Moskë dhe rajonin e Moskës me mjet ajror pa pilot gjatë natës, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë nga ministria ruse thuhet se Ukraina tentoi një “sulm terrorist” me dron ndaj objekteve në Moskë dhe rajonin e Moskës rreth orës 03:00 të mëngjesit.

“Droni u shkatërrua nga sistemet e mbrojtjes ajrore në rrethin Istra të rajonit të Moskës”, thuhet në deklaratë.

Kryebashkiaku i Moskës Sergey Sobyanin gjithashtu ndau në llogarinë e tij në rrjetet sociale se nuk pati humbje jetësh apo dëme nga incidenti dhe se shërbimet e urgjencës po punojnë në vendngjarje.

Ndërkaq, agjencia e lajmeve Tass, duke cituar shërbimet e aviacionit, tha se ulja dhe ngritja e avionëve u ndaluan përkohësisht në aeroportet Vnukovo, Sheremetyevo dhe Domodedovo në kryeqytetin Moskë, për t’u kthyer më pas në normalitet.

MARKETING