Rusia dhe Ukraina shkëmbejnë 206 të burgosur në shkëmbimin e dytë brenda dy ditëve
Rusia dhe Ukraina kanë kryer një shkëmbim të madh të të burgosurve, gjithsej 206, në shkëmbimin e dytë në dy ditë, pas negociatave të ndërmjetësuara nga Emiratet e Bashkuara Arabe.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky tha se të 103 ukrainasit e kthyer ishin nga ushtria – 82 ushtarë dhe privatë dhe 21 oficerë.
Ndërkohë, Ministria ruse e Mbrojtjes tha se 103 ushtarët rusë të shkëmbyer ishin zënë rob në rajonin kufitar të Kurskut, ku forcat ukrainase nisën një inkursion të befasishëm në gusht, shkruan Reuters, përcjell Telegrafi.
“Njerëzit tanë janë në shtëpi”, tha Zelensky.
“Ne kemi sjellë me sukses 103 luftëtarë të tjerë nga robëria ruse në Ukrainë”, shtoi ai.
Zelensky postoi foto të ushtarakëve të mbështjellë me flamurin kombëtar të kaltër dhe të verdhë, të përqafuar me njëri-tjetrin, duke folur në telefona dhe duke pozuar për fotografi në një vend të pazbuluar.
Siç raportohet, shkëmbimi u ndërmjetësua nga Emiratet e Bashkuara Arabe, ndërmjetësimi i tetë i tillë i vendit që nga fillimi i vitit 2024.
Ndryshe, Kievi dhe Moska kanë shkëmbyer shpesh të burgosur që nga pushtimi i Rusisë në shkurt të vitit 2022, dhe shkëmbimi i së shtunës ishte i treti që kur Ukraina filloi një inkursion ndërkufitar në rajonin Kursk të Rusisë në fillim të gushtit.