Rusia: 4 të plagosur në sulmin masiv ukrainas me dronë

Autoritetet ruse thanë sot se të paktën katër persona janë plagosur në një sulm masiv me dronë të Ukrainës të premten në mbrëmje, transmeton Anadolu.
Sipas një deklarate të Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë, rreth 170 dronë ukrainas janë rrëzuar në gjashtë rajone ruse gjatë natës.
“Gjatë natës së kaluar, 170 mjete ajrore ukrainase pa pilot të tipit avion u shkatërruan dhe u kapën nga sistemet e mbrojtjes ajrore në detyrë nga ora 22:00 deri në 05:00”, tha ministria.
Veçmas, guvernatori i rajonit jugor të Krasnodarit, Veniamin Kondratyev, raportoi se qyteti portual Novorossiysk pësoi pasojat më të rënda.
“Tre pallate u dëmtuan. Si rezultat, sipas të dhënave paraprake, katër persona u plagosën – dy të rritur dhe dy fëmijë”, tha ai.
Këtë vit, Ukraina ndërmori disa sulme në shkallë të gjerë me dronë ndaj Rusisë. Më i madhi u regjistrua në mars, kur 343 dronë shënjestruan Moskën dhe periferitë e saj, duke vrarë të paktën tre persona, duke plagosur 17 të tjerë dhe duke shkaktuar ndërprerjen e operacioneve në katër aeroportet e kryeqytetit rus.