Rumania gjen pjesë të një droni rus me eksploziv aktiv brenda territorit të saj

Rumania gjen pjesë të një droni rus me eksploziv aktiv brenda territorit të saj
Rumania ka gjetur pjesë të një aeroplani rus pa pilot pranë kufirit të saj me Moldavinë që mbante eksploziv aktiv, të cilin ministria e mbrojtjes e shpërtheu në vend.

Bashkimi Evropian dhe shteti i NATO-s, i cili ndan një kufi 650 km me Ukrainën, ka hasur në fragmente të dronëve rusë të rënë në territorin e tij në mënyrë të përsëritur gjatë vitit të kaluar, ndërsa Moska sulmon infrastrukturën e Ukrainës.

Bëhet e ditur se Moldavia, e vendosur midis Rumanisë dhe Ukrainës, ka hasur gjithashtu në fragmente të dronëve që kanë rënë në territorin e saj, shkruan Reuters, përcjell Telegrafi.

Ministria e Mbrojtjes njoftoi se pjesët u gjetën në qarkun juglindor të Galatit, 500 metra larg kufirit me Moldavinë dhe portin e saj të lumit Danub, Giurgiulesti.

“Prania e një ngarkese aktive (eksplozive) është identifikuar në bordin e dronit, e cila do të shpërthehet në mënyrë të kontrolluar në vend për të eliminuar rrezikun për popullatën lokale”, tha ministria në një deklaratë përpara se të ndodhte shpërthimi.

Ndryshe, më parë këtë javë, ligjvënësit rumunë miratuan një projekt-ligj që i mundëson ushtrisë të rrëzojë dronët që shkelin ilegalisht hapësirën ajrore rumune, bazuar në nivelet e kërcënimit dhe rreziqet për jetën dhe pronën e njerëzve.

Vendi nuk kishte një kornizë të përditësuar për trajtimin e shkeljeve të paligjshme të hapësirës ajrore në kohë paqeje.

Bazuar në ligjin e ri, shkatërrimi i dronëve apo aeroplanëve me pilot është zgjidhja e fundit. /Telegrafi/

 

MARKETING