Rubio: Zelenskyy i detyrohet falje Trumpit pas përplasjes në Zyrën Ovale

Rubio: Zelenskyy i detyrohet falje Trumpit pas përplasjes në Zyrën Ovale

Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio tha se presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy duhet t’i kërkojë falje presidentit Donald Trump pas shkëmbimit të tensionuar të fjalëve në Zyrën Ovale, transmeton Anadolu.

I pyetur gjatë një interviste me CNN nëse ai beson se Zelenskyy i detyrohet Trumpit një falje pas përplasjes, Rubio u përgjigj se “po”.

“Ju patë vetëm fundin”, tha Rubio, i cili ishte i pranishëm në takim. “Ju nuk i shihni të gjitha gjërat që çuan në këtë”, shtoi ai.

Ai i kërkoi Zelenskyyt të “kërkojë falje që e ktheu këtë gjë në fiasko për të”, duke e akuzuar atë si “antagonist”.

I pyetur gjatë një interviste me FOX News, Zelenskyy nuk u përgjigj drejtpërdrejt nëse i detyrohet Trumpit një falje dhe pohoi se ai nuk ka bërë “diçka të keqe”.

Shkëmbimi i tensionuar verbal, i cili zgjati afërsisht 10 minuta, përfundoi me largimin e Zelenskyyt nga Shtëpia e Bardhë pa marrë pjesë në një ceremoni të planifikuar nënshkrimi për marrëveshjen e mineraleve.

“Unë mendoj se duhet të jemi shumë të hapur dhe shumë të sinqertë. Dhe nuk jam i sigurt se kemi bërë diçka të keqe”, tha Zelenskyy për Fox News. Ai tha se e respekton Trumpin dhe popullin amerikan.

Duke vënë në dukje premtimin e fushatës së Trumpit për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, Rubio tha: “Ne e kemi shpjeguar shumë qartë se cili është plani ynë këtu, që është se ne duam t’i çojmë rusët në një tryezë bisedimesh. Ne duam të eksplorojmë nëse paqja është e mundur”.

“Ata e kuptojnë gjithashtu se kjo marrëveshje që duhej të nënshkruhej sot duhej të ishte një marrëveshje që e lidh Amerikën ekonomikisht me Ukrainën, e cila për mua, siç e kam shpjeguar, mendoj se presidenti aludoi sot, është një garanci sigurie në mënyrën e vet, sepse ne jemi të përfshirë”, shtoi ai.

Rubio pretendoi se Zelenskyy provokoi konfrontimin duke përdorur vizitën e tij në Washington për të kundërshtuar strategjinë diplomatike të Trumpit.

“Kjo marrëveshje mund të ishte nënshkruar pesë ditë më parë, por ata insistuan të vinin në Washington”, tha Rubio. “Duhet të kishte pasur një mirëkuptim shumë të qartë – mos ejani këtu dhe të krijoni një skenar ku do të filloni të na jepni leksione se si diplomacia nuk do të funksionojë”, shtoi ai.

Ai më tej tha se ngurrimi i Zelenskyy për të pranuar negociatat ngre dyshime për gatishmërinë e tij për t’i dhënë fund luftës.

Kryediplomati amerikan kritikoi gjithashtu udhëheqësit evropianë për mungesën e një strategjie për t’i dhënë fund luftës.

“Një ministër i jashtëm më tha, dhe unë nuk do të them se kush ishte, por mund t’ju them se çfarë më tha njëri prej tyre, dhe kjo është se lufta vazhdon edhe një vit, dhe në atë moment, Rusia do të ndihet aq e dobësuar sa do të luten për paqe”, tha ai.

“Ky është një vit tjetër vrasjesh, një vit tjetër vdekjeje, një vit tjetër shkatërrimi”, theksoi Sekretari amerikan i Shtetit.

MARKETING