Rubio kritikon organizatën kubane për promovimin e “ekstremizmit radikal të majtë” në SHBA

Rubio kritikon organizatën kubane për promovimin e “ekstremizmit radikal të majtë” në SHBA

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, kritikoi një organizatë shtetërore kubane, duke e akuzuar se promovon “ekstremizëm radikal të majtë” dhe se synon të kryejë “ndikim të huaj” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, transmeton Anadolu.

“Për dekada, Instituti Kuban për Miqësi me Popujt – ose ICAP – ka qenë një mjet për ekstremizëm radikal të majtë dhe ndikim subversiv të huaj në SHBA dhe në gjithë hemisferën tonë”, shkroi Rubio në platformën sociale amerikane X.

“ICAP është grupi kryesor i regjimit kuban për ndikim dhe inteligjencë, duke shfrytëzuar rrjetin e tij global për të spiunuar amerikanët, për të promovuar propagandë antiperëndimore, për të koordinuar operacione ndikimi të huaj dhe për të organizuar lëvizje revolucionare të majta në mbarë botën”, shtoi ai.

Rubio tha se më herët këtë muaj ka vendosur sanksione ndaj ICAP-it dhe disa organizatave të tjera kubane “të përgjegjshme për aktivitete subversive antiamerikane”.

Ai gjithashtu tha se i ka hequr statusin ligjor Carlos Antonio Lloga Dominguezit, një ish-zyrtar i ICAP-it, duke shtuar se gruaja dhe djali i tij ndodhen në arrest federal në pritje të deportimit nga SHBA-ja.

“Amerika nuk do të jetë kurrë shtëpi për komunistë të huaj që përhapin propagandë, kryejnë operacione ndikimi subversiv apo mbështesin lëvizje radikale antiamerikane brenda Shteteve të Bashkuara”, shtoi ai.

“Kush bashkëpunon me ICAP-in do të sanksionohet, ndiqet penalisht ose dëbohet nga vendi ynë”, tha kryediplomati amerikan.

MARKETING