Rritet sërish inflacioni, shpenzimet për ushqim janë rritur për 7.5%
MARKETING
Inflacioni në vend ka shënuar sërish rritje. Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikës, në muajin mars ai ka arritur në 4,9 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërkohë, çmimet me pakicë janë rritur për 3,4 për qind.
MARKETING
Rritja më e theksuar është regjistruar tek shpenzimet për ushqim dhe pije joalkoolike, të cilat janë shtrenjtuar për 7,5 për qind. Brenda një viti, rritje çmimesh është vërejtur edhe në sektorë të tjerë si veshmbathja, këpucët, kujdesi shëndetësor, rekreacioni, sporti dhe kultura, si dhe në shërbimet e restoranteve, akomodimit dhe arsimit. Krahasuar me muajin shkurt, kostot e jetesës janë rritur për 0,7 për qind.
Edhe vlerësimet e Qeverisë kanë paralajmëruar një përshpejtim të inflacionit në mars, duke e parashikuar atë në intervalin prej 4,5 deri në 5 për qind. Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se po bëhen analiza dhe paralajmëroi masa të reja pas festës së Pashkëve.
Ai theksoi se masat e ardhshme do të jenë më të targetuara për grupe të caktuara të qytetarëve dhe për produktet bazë ushqimore. Sipas tij, këto masa do të përfshijnë ulje të TVSH-së, si dhe kufizim të marzhave të fitimit.
Nga ana tjetër, ekspertët paralajmërojnë se ndikimi i krizës në Lindjen e Mesme mund të jetë deri në tre herë më i madh se ai i vitit 2022, duke kërkuar masa urgjente nga Qeveria për të mbrojtur standardin jetësor të qytetarëve.

