Rritet në afro 37.900 numri i palestinezëve të vrarë nga sulmet izraelite në Gaza

Rritet në afro 37.900 numri i palestinezëve të vrarë nga sulmet izraelite në Gaza

Sulmet e vazhdueshme të Izraelit në Rripin e Gazës kanë vrarë 43 palestinezë të tjerë, duke e rritur numrin e përgjithshëm të vdekjeve që nga tetori i kaluar në 37.877 njerëz, tha sot Ministria e Shëndetësisë në enklavën e rrethuar, transmeton Anadolu.

Ministria tha në një deklaratë se të paktën 86.969 persona të tjerë janë plagosur gjithashtu nga sulmet.

“Sulmet izraelite vranë 43 persona dhe plagosën 111 të tjerë në tri ‘masakra’ kundër familjeve në 24 orët e fundit”, tha ministria.

“Shumë njerëz janë ende të bllokuar nën rrënoja dhe në rrugë pasi shpëtimtarët nuk janë në gjendje t’i arrijnë ata”, shtoi ajo.

Duke shpërfillur një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon armëpushim të menjëhershëm, Izraeli është përballur me reagime ndërkombëtare në mes të ofensivës së tij brutale në Gaza që nga një sulm i 7 tetorit 2023 nga Hamasi.

Mbi tetë muaj pas fillimit të luftës izraelite, pjesë të mëdha të Gazës janë në gërmadha, krahas një bllokade gjymtuese të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në vendimin e saj të fundit urdhëroi Tel Avivin të ndalonte menjëherë operacionin e tij në Rafah, ku mbi një milion palestinezë kishin kërkuar strehim nga lufta përpara se të pushtohej më 6 maj.

MARKETING