Rritet në 65.174 numri i palestinezëve të vrarë nga sulmet izraelite në Gaza

Është rritur në 65.174 numri i palestinezëve të vrarë nga sulmet e ushtrisë izraelite në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë me shkrim nga Ministria e Shëndetësisë në Gaza, janë ndarë të dhënat e fundit në lidhje me viktimat dhe të plagosurit në sulmet që Izraeli vazhdon në Rripin e Gazës.
Në 24 orët e fundit në spitalet e Gazës janë sjellë 33 palestinezë të vrarë dhe 146 të tjerë të plagosur. Të paktën 12.622 palestinezë janë vrarë dhe 54.030 të tjerë janë plagosur në sulmet që ushtria izraelite ka kryer që nga 18 marsi e deri më tani, duke shkelur armëpushimin e arritur më 19 janar.
Është rritur mbi 2.514 numri i personave të vrarë dhe mbi 18.431 i të plagosurve që nga 27 maji në sulmet sistematike që shënjestrojnë palestinezët në të ashtuquajturat pika shpërndarjeje të ndihmave në Gaza, të drejtuara nga Izraeli dhe SHBA-ja.
Numri i palestinezëve të vrarë në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023 është rritur në 65.174, ndërsa numri i të plagosurve në 166.071.
Thuhet se mijëra të vdekur ndodhen ende nën rrënoja në Rripin e Gazës.
– Nga uria humbin jetën edhe 4 persona të tjerë, përfshirë një fëmijë
Është njoftuar se katër palestinezë të tjerë, përfshirë një fëmijë, kanë vdekur në 24 orët e fundit për shkak të urisë dhe kequshqyerjes në Rripin e Gazës, të cilin Izraeli e ka çuar në uri duke mbyllur portat kufitare dhe duke penguar hyrjen e ndihmave.
Numri i të vdekurve nga uria në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023, është rritur në 440, prej të cilëve 147 janë fëmijë.
Që nga 22 gushti kur Klasifikimi i Fazës së Integruar të Sigurisë Ushqimore (IPC) i mbështetur nga Kombet e Bashkuara (OKB) shpalli zi buke në qytetin e Gazës thuhet se nga uria dhe kequshqyerja kanë humbur jetën 162 persona, prej të cilëve 32 janë fëmijë.
IPC shpalli “situatën e urisë” në qytetin e Gazës dhe njoftoi se kjo mund të përhapet edhe në qytetet Deir Al-Balah dhe Khan Younis deri në fund të shtatorit.