Rritet në 63.746 numri i palestinezëve të vrarë nga sulmet izraelite në Gaza

Është rritur në 63.746 numri i palestinezëve të vrarë nga sulmet e ushtrisë izraelite në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë me shkrim nga Ministria e Shëndetësisë në Gaza, janë ndarë të dhënat e fundit në lidhje me viktimat dhe të plagosurit në sulmet që Izraeli vazhdon në Rripin e Gazës.
Në 24 orët e fundit në spitalet në Gaza janë sjellë 113 palestinezë të vrarë dhe 304 të tjerë të plagosur. Të paktën 11.615 palestinezë janë vrarë dhe 49.204 të tjerë janë plagosur në sulmet që ushtria izraelite ka kryer që nga 18 marsi e deri më tani, duke shkelur armëpushimin e arritur më 19 janar.
Të paktën 33 palestinezë u vranë dhe 141 të tjerë u plagosën në 24 orët e fundit, në sulmet ku u shënjestruan ata që po prisnin për ndihmë humanitare.
Është rritur në 2.339 numri i personave të vrarë dhe në 17.070 i të plagosurve që nga 27 maji në sulmet sistematike që shënjestrojnë palestinezët në të ashtuquajturat pika shpërndarjeje të ndihmave në Gaza, të drejtuara nga Izraeli dhe SHBA-ja.
Numri i palestinezëve të vrarë në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023 është rritur në 63.746, ndërsa numri i të plagosurve në 161.245.
Bëhet e ditur se mijëra të vdekur ndodhen ende nën rrënoja në Rripin e Gazës.
Gjithashtu u theksua se në 24 orët e fundit, 6 palestinezë të tjerë vdiqën nga uria në Gaza, të cilën Izraeli e ka çuar në uri duke mbyllur portat kufitare dhe duke kufizuar hyrjen e ndihmave, dhe se numri i njerëzve që kanë vdekur nga uria që nga 7 tetori është rritur në 367, prej të cilëve 131 janë fëmijë.