Rritet në 52.418 numri i palestinezëve të vrarë nga sulmet izraelite në Gaza

Të paktën 18 palestinezë të tjerë janë vrarë në sulmet ajrore izraelite në Gaza në 24 orët e fundit, duke e çuar numrin e të vdekurve nga lufta gjenocidale e Izraelit që nga tetori i vitit 2023 në 52.418, tha sot Ministria e Shëndetësisë e enklavës së rrethuar, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë, Ministria tha se 77 persona të tjerë të plagosur janë transferuar gjithashtu në spitale, duke e çuar numrin e të plagosurve në 118.091.
“Shumë viktima janë ende të bllokuar nën rrënoja dhe në rrugë pasi ekipet e shpëtimit nuk janë në gjendje t’i arrijnë”, shtoi ajo.
Ushtria izraelite rifilloi ofensivën e saj vdekjeprurëse në Rripin e Gazës më 18 mars dhe që atëherë ka vrarë mbi 2.300 persona dhe ka plagosur mbi 6.000 të tjerë pavarësisht një marrëveshjeje armëpushimi dhe shkëmbimi të të burgosurve që hyri në fuqi në janar.
Nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhra arresti për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të Mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli përballet gjithashtu me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në enklavë.