Rritet interesi për akomodim në shtëpitë e të moshuarve në Maqedoni, nevojiten hapësira dhe staf shtesë
Plakja është një proces i natyrshëm, por ritmi gjithnjë e më dinamik i jetës së të rinjve dhe angazhimet e shumta profesionale e familjare po e bëjnë gjithnjë e më të vështirë përkujdesjen për të moshuarit në familje. Si pasojë, interesi për akomodim në shtëpitë e të moshuarve në vend është në rritje, ndërsa kapacitetet ekzistuese po rezultojnë të pamjaftueshme.
Edhe pse në vend funksionojnë institucione shtetërore dhe private për përkujdesjen e të moshuarve, si dhe janë paralajmëruar hapje të reja, kërkesa vazhdon të tejkalojë ofertën. Sipas Ministrisë së Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, në shumicën e institucioneve publike dhe në një pjesë të konsiderueshme të atyre private ekzistojnë lista pritjeje për akomodim.
“Në të gjitha institucionet publike dhe në një pjesë të atyre private për akomodimin e të moshuarve ka lista pritjeje”, bëjnë të ditur nga Ministria për AIM.
Përveç mungesës së hapësirave, autoritetet konfirmojnë edhe nevojën urgjente për punësime të reja në këtë sektor. Sipas Ministrisë, institucionet përballen me mungesë të kuadrit profesional të nevojshëm për ofrimin e shërbimeve cilësore.
“Ka mungesë të kuadrit profesional adekuat për shërbimin e institucioneve ekzistuese për akomodimin e të moshuarve, si punonjës socialë, infermierë dhe kujdestarë”, theksojnë nga Ministria.
Aktualisht, kapaciteti i përgjithshëm i akomodimit në institucionet publike për të moshuar është 676 shtretër. Krahas tyre, shërbime akomodimi ofrojnë edhe 38 shtëpi private për të moshuar, me një kapacitet total prej 1.609 shtretërsh. Sipas të dhënave zyrtare, shumica e institucioneve private janë të përqendruara në Shkup.

