Rritet çmimi i naftës me shpresën e rritjes së kërkesës pas heqjes nga Kina të kufizimeve
Çmimi i naftës shënoi rritje për shkak të euforisë së kërkesës pasi vendimi i Kinës për të hequr kufizimet e COVID-19 rriti shpresat e rimëkëmbjes së aktivitetit ekonomik në konsumatorin e dytë më të madh të naftës në botë, raporton Anadolu Agency (AA).
Standardi ndërkombëtar i papërpunuar Brent u tregtua me 79,65 dollarë për fuçi në mëngjes, me një rritje prej 1,37 për qind nga çmimi i mbylljes prej 78,57 dollarë për fuçi.
Standardi amerikan West Texas Intermediate (WTI) u tregtua me 74,84 dollarë për fuçi në të njëjtën kohë, me një rritje prej 1,45 për qind pas mbylljes me 73,77 dollarë për fuçi.
Rritja e çmimeve u nxit për shkak të shpresës për rritje të kërkesës pasi Kina hoqi shumicën e kufizimeve të lidhura me virusin, pavarësisht rritjeve të rasteve në të gjithë vendin.
Ekspertët shprehin shqetësimin e tyre se masa mund të “mbysë” aktivitetin ekonomik në vend, megjithatë, Kina vazhdon të mbështeste sektorin e saj të patundshmërive, gjë që përkthehet në tregun e naftës si kërkesë më e lartë.
Çmimet e naftës të indeksuara në dollarë u ndikuan gjithashtu pozitivisht pasi shpresat për rritje më të vogla të normave të interesit nga Rezerva Federale e SHBA-së rënduan mbi dollarin.
Indeksi i dollarit amerikan, i cili mat vlerën e dollarit amerikan kundrejt shportës valutore, ku bëjnë pjesë jeni japonez, funta britanike, dollari kanadez, krona suedeze dhe franga zvicerane, shënoi rënie me 0,28 për qind në 103.36.