Rriten vetëvrasjet në mesin e ushtarëve izraelitë që nga fillimi i luftës në Gaza
Ushtria izraelite ka njoftuar se 28 ushtarë dyshohet se kanë kryer vetëvrasje që nga shpërthimi i luftës së Gazës në tetor 2023, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë të ushtrisë izraelite thuhet se 17 ushtarë u vranë në “vetëvrasje të dyshuara” në 2024, ku shtohet se në vitin 2023 u regjistruan shtatë raste të këtilla pas shpërthimit të luftës.
Sipas të dhënave të publikuara nga ushtria izraelite, të paktën 891 ushtarë izraelitë janë vrarë dhe 5.569 të tjerë janë plagosur që nga shpërthimi i konfliktit në Gaza.
Ushtria shpjegoi se 363 ushtarë u vranë në 2024, dhe 558 ushtarë në 2023, ndërsa sa për krahasim, në vitin 2022 u vranë vetëm 44 ushtarë izraelitë.
“Për parandalimin e vetëvrasjeve, është ofruar ndihmë për shëndetin mendor gjatë gjithë kohës dhe numri i personelit të shëndetit mendor është rritur”, thuhet në njoftim.
Pavarësisht një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që bën thirrje për një armëpushim të menjëhershëm, ushtria izraelite ka vazhduar një luftë gjenocidale në Gaza duke vrarë rreth 45.600 viktima, kryesisht gra dhe fëmijë, që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor 2023.
Në nëntor 2024, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhërarreste për Netanyahun dhe ish-ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në enklavë.