Rriten tensionet për të ardhmen e OSBE-së
Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë është në ngërç pasi Rusia bllokon Estoninë që të marrë presidencën.
Moska mori edhe një tjetër viktimë në pushtimin e saj në Ukrainë: Organin më të madh të sigurisë në botë
Që nga viti 2021, Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) është në ngërç me Rusinë, e cila refuzon të lejojë Estoninë të marrë presidencën në vitin 2024. Tani po shfaqet një zgjidhje e mundshme – por po rezulton përçarëse për BE-në.
Këtë javë, Rusia (dhe Bjellorusia) përsëritën se nuk janë gati të lejojnë Estoninë të marrë kryesimin e OSBE-së për vitin e ardhshëm. Zyrtarët qeveritarë nga Estonia, e cila është kandidate që në vitin 2020, nuk e fshehën zemërimin e tyre.
“Për vite me radhë, Moska e ka penguar organizatën të miratojë buxhetin e saj, të mbajë ngjarje zyrtare dhe të zgjerojë misionet, gjë që ka rezultuar në përfundimin e të gjitha misioneve të huaja të OSBE-së në Ukrainë, që është edhe objektivi i agresionit rus. Duke qenë se Rusia me luftën e saj të përgjakshme agresive shkel të gjitha parimet bazë të OSBE-së, është e papranueshme që organizata t’i nënshtrohet kërkesave dhe shantazheve të Moskës”, tha ministri i jashtëm estonez, Margus Cahna.
OSBE-ja është një organ i lindur nga Lufta e Ftohtë, i përbërë nga 57 vende nga Evropa, Amerika e Veriut dhe Azia. Mandati i saj përfshin monitorimin e zgjedhjeve dhe mbështetjen e negociatave të paqes.
Me sistemin e saj që kërkon unanimitet, OSBE-ja është ndër organet ndërkombëtare të ekspozuara ndaj përpjekjeve të Kremlinit për të riformuar rendin global në dritën e luftës së saj
në Ukrainë. Pushtimi rus kërcënoi konceptin bazë të sigurisë bashkëpunuese, të cilin OSBE-ja e mishëron.
“Moska e ka kritikuar OSBE-në për një kohë të gjatë, duke e akuzuar atë se është kthyer në një mjet të Perëndimit. Rusët kanë përfituar gjithashtu nga nevoja për unanimitet në OSBE duke bllokuar vendimet”, tha presidenti letonez Edgars Rinkeviçs.
Aftësia e Rusisë për të ngrirë procesin e vendimmarrjes së OSBE-së është parë nga afër në Bruksel, për disa arsye. Midis tyre është kontrata e Sekretares së Përgjithshme të OSBE-së Helga Shmid – e njohur si një zyrtare e lartë në Shërbimin Evropian të Punëve të Jashtme – e cila skadon muajin e ardhshëm. Një numër diplomatësh thanë se e ardhmja e Shmid ishte ndër viktimat e bllokimit të krijuar nga vetoja ruse.
Takimi kryesor ministror duhet të mbahet në fund të këtij muaji në Maqedoninë e Veriut (e cila kryeson me OSBE-në). Diplomatët e njohur me diskutimet thonë se po ofrohen një sërë opsionesh për të zgjidhur dinamikën me Rusinë. Kjo përfshin mundësinë që Maqedonia e Veriut të mbetet në pozitën kryesuese për të gjithë vitin 2024 ose të paktën në gjysmën e parë të vitit.
Disa vende, veçanërisht ato baltike, konsiderojnë se marrja e presidencës nga ndonjë vend tjetër do të ishte një përjashtim për Moskën. Por të tjerë argumentojnë se, në në terma afatgjatë, OSBE-ja mund të vazhdojë të jetë një mjet komunikimi me Moskën, nëse vjen koha për të negociuar për Ukrainën.
Vazhdimi i presidencës së Maqedonisë së Veriut nuk do të konsiderohet si një fitore ruse, tha presidenti letonez Rinkeviçs për Politiko, sepse “edhe para se Rusia të pushtonte Ukrainën, ishte tashmë e qartë se rusët do të bllokonin presidencën e Estonisë”.
Megjithatë, një diplomat tha se zgjatja e mandatit të Maqedonisë së Veriut nuk do të thotë ende se OSBE-ja do të jetë në gjendje të vazhdojë punën e saj dhe gjithashtu vuri në pikëpyetje vullnetin e vendit për të mbetur në atë rol.
Sipas dy diplomatëve, Rusia duket se është e hapur ndaj vendeve jo anëtare të NATO-s. Sipas katër diplomatëve të tjerë, ka një konsensus në rritje se Malta mund të jetë zgjidhja.
Austria, e cila gjithashtu është përmendur si një kandidate e mundshme, ka thënë se është e hapur ndaj idesë së Maltës. “Austria mbështet çdo masë për të ruajtur funksionimin e OSBE-së.”
Si vend pritës i organizatës, Austria ka një përgjegjësi të veçantë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme të Austrisë për Politiko-n.
Një përfaqësues zyrtar i Ministrisë së Jashtme gjermane, i cili dëshironte të mbetet anonim, tha se “vendime të rëndësishme janë në pritje në OSBE” dhe se “ata do të shqyrtojnë zgjidhjet e mundshme të kompromisit në Vjenë”.
“Prandaj, është thelbësore të ruhet funksionimi i OSBE-së”, tha përfaqësuesi gjerman.
Vendimi mund të merret në takimin e diplomatëve të OSBE-së në Vjenë. Disa diplomatë thonë se meqenëse ministri i jashtëm rus Sergej Lavrov synon të shkojë në takimin në Shkup, ka shqetësime se Llavrov mund ta përdorë takimin për të shpallur fitoren, nëse Malta merr presidencën në vend të Estonisë.
Disa ministra, sipas të njëjtëve diplomatë, kanë probleme me praninë e tij.
Është e paqartë, për shembull, nëse ministri i jashtëm i Ukrainës, Dmitri Kuleba, do të marrë pjesë nëse Llavrov është atje.
“Ka dy vite që flasim për nevojën e bisedës me zotin Llavrov për formatin e Gjykatës Speciale. Tani jemi dëshmitarë të përpjekjeve për ta kthyer atë në bisedimet diplomatike dhe për të normalizuar praninë e Rusisë”, tha ministri i jashtëm lituanez, Gabrielius Landsbergis.