Rriten të ardhuar nga qiradhënia, banesat me pjesëmarrje më të madhe
Në çdo muaj të gjysmës së dytë të vitit 2025 janë realizuar të ardhura më të larta nga qiradhënia e pasurive të paluajtshme në vend, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024. Kjo, sipas Agjencisë për kadastër të pasurive të paluajtshme, e thekson stabilitetin e tregut, rritjen e kërkesës për qira dhe përmirësimin e arkëtimit, përkatësisht rritjen e çmimeve të qirasë.
Analiza e të dhënave të AKPP-së për tregun e qirasë së banesave tregon dallime të konsiderueshme në numrin e banesave të dhëna me qira dhe në lartësinë e qirasë sipas komunave.
Në komunat urbane dhe ekonomikisht më të zhvilluara vërehet përqendrim më i madh i njësive banesore me qira, që vjen si rezultat i kërkesës së shtuar nga studentë, nxënës, profesorë të rinj dhe punëtorë që zhvendosen në zonat qendrore të qyteteve.
Njëkohësisht, në këto komuna janë regjistruar çmime mesatare më të larta të qirasë, të cilat përputhen me infrastrukturë më të mirë, qasje më të lehtë në shërbime dhe atraktivitet më të madh të lokacionit.
Në komunat periferike numri i banesave me qira është dukshëm më i vogël. Atje çmimet janë më të ulëta për shkak të kërkesës më të dobët.
Sipas Agjencisë për kadastër të pasurive të paluajtshme, rritja e kërkesës për qira banesash në disa komuna urbane tregon nevojën për planifikimin e kapaciteteve shtesë banesore dhe politika për strehim të disponueshme.
Numri më i madh i qirave të banesave në gjysmën e dytë të vitit 2025 është regjistruar në Qendër me 502, pasuar nga Shtipi me 356, Aerodromi me 301 dhe Karposhi me 257 kontrata.
Vlera më e lartë e përgjithshme e realizuar nga qiraja e banesave është arritur në Qendër me 11.413.380 denarë, në Aerodrom me 5.898.230 denarë dhe në Karposh me 5.742.485 denarë. Qiraja mesatare mujore më e lartë për një banesë është regjistruar në Qendër me 22.736 denarë, ndërsa më e ulëta në Butel me 3.489 denarë.
Çmime të larta mesatare mujore janë regjistruar edhe në Karposh me 22.344 denarë, në Aerodrom me 19.595 denarë, në Gjorçe Petrov me 16.714 denarë, në Gazi Babë me 15.799 denarë dhe në Tetovë me 14.896 denarë.
Analiza e intervalit të çmimeve të arritura të qirave mujore për gjysmën e dytë të vitit 2025 tregon se minimumi më i ulët i regjistruar është në Strumicë me 83 denarë, ndërsa maksimumi më i lartë në Qendër me 230.450 denarë, thuhet në raportin e Regjistrit të çmimeve dhe qirave të pasurive të paluajtshme.
Në gjysmën e dytë të vitit 2025 janë evidentuar 5.237 kontrata qiraje, që është 14,2 për qind më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Numri më i madh i këtyre kontratave i përket 2.156 banesave (41 %) dhe 1.651 lokaleve afariste (32 %). Shtëpitë marrin pjesë me 699 kontrata (13 %), toka bujqësore dhe pyjet me 515 kontrata (10 %), toka ndërtimore me 66 kontrata (1%), objektet industriale me 95 (2 %), garazhet me 25 (0.5 %) dhe pasuritë e tjera me 30 kontrata (1 %) nga tregu i përgjithshëm i qirave.
Sipas muajve, në korrik janë regjistruar 826 qira, në gusht 614, në shtator 755, në tetor 1.106, në nëntor 959 dhe në dhjetor 988 kontrata.
Në nëntor 2025 janë realizuar të ardhurat mujore më të larta në vlerë prej 453,6 mijë eurove, që është dukshëm më shumë se në nëntor 2024 kur kishin vlerën 396,2 mijë euro.
Në gusht 2025 janë realizuar të ardhurat më të ulëta mujore prej 226,4 mijë eurove, por megjithatë më të larta krahasuar me gushtin 2024 kur arrinte vlerë prej 224,8 mijë eurove – tregojnë të dhënat e AKPP -së.
Nga AKN theksohet pjesëmarrja e lartë e banesave në tregun e qirasë, të cilat në gjysmën e dytë të vitit 2025 arrijnë 2.156 kontrata me vlerë totale prej 553,1 mijë euro, krahasuar me rreth 1.865 kontrata dhe 465,7 mijë euro në vitin 2024. Trendi tregon rritje të kërkesës për hapësirë banimi dhe dinamikë më të madhe në tregun e qirasë së banesave.
Rritje e konsiderueshme është shënuar edhe në kategorinë e lokaleve afariste, ku në vitin 2025 janë regjistruar 1.651 kontrata me vlerë totale prej 1.182,7 mijë euro, ndërsa në vitin 2024 ishin 1.444 kontrata me vlerë prej 938,7 mijë euro. Ky zhvillim lidhet me rritjen e aktivitetit ekonomik, zgjerimin e bizneseve dhe besimin më të madh në kushtet e tregut.
Te shtëpitë është vërejtur rritje e lehtë e kërkesës për qira me 699 kontrata dhe 184,8 mijë euro në vitin 2025, krahasuar me 684 kontrata dhe 165,6 mijë euro në vitin 2024. Rritje është regjistruar edhe te toka bujqësore dhe pyjet, nga 384 kontrata në 2024 në 515 kontrata në 2025. Në sektorin industrial numri i kontratave mbetet relativisht stabil me një rënie të lehtë, 95 në 2025 kundrejt 99 në 2024.
Sipas AKN-së, në kategoritë e tokës ndërtimore, pasurive të tjera dhe garazheve shifrat mbeten të moderuara, që tregon përdorimin e gjerë të ketij lloji të patundshmërive edhe pse pjesëmarrja e përgjithsme e tyre është dukshëm më e ulët krahasuar me kategoritë kryesore. Në përgjithësi, të dhënat tregojnë se në gjysmën e dytë të vitit 2025, vlera totale e qirave mujore në shumicën e kategorive më parë të përmendura kanë shënuar rritje krahasuar me vitin e kaluar, që nuk është rast te toka ndërtimore, ku kemi rënie të vlerës totale të qirave mujore krahasuar me vitin e kaluar.

