Rrëzohet avioni në Australi, dy të vde’kur/ Copat e aeroplanit u shpërndanë përgjatë bregdetit
Dy persona kanë vdekur gjatë një aksidenti ajror në brigjet lindore të Australisë në veri të Sidneit.
Policia në shtetin e Uellsit të Ri Jugor (NSW) tha në një deklaratë të shtunën mbrëma se shërbimet e urgjencës u thirrën pasi u raportua për një përplasje pranë qytetit Nambucca Heads, afërsisht 400 km në veri të Sidneit.
“Piloti dhe pasagjeri i avionit vdiqën në vendngjarje dhe ende nuk janë identifikuar zyrtarisht”, tha Policia e NSW, sipas medias së huaj.
Korporata Australiane e Transmetimeve (ABC) raportoi se rrënojat u gjetën rreth 1.5 km larg bregut.
Policia e NSW tha se ka filluar një hetim për rrethanat e incidentit, me ndihmën e Byrosë Australiane të Sigurisë së Transportit (ATSB).