Rreth 30 mijë udhëtarë kanë kaluar në VK “Qafë Thanë” në tre ditët e fundit

Rreth 30 mijë udhëtarë kanë kaluar në VK “Qafë Thanë” në tre ditët e fundit

Në vendkalimet kufitare në kufirin mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, posaçërisht në vendkalimin “Qafë Thanë” në Strugë, vazhdon frekuenca e madhe e udhëtarëve dhe automjeteve.

“Gjatë tre ditëve të kaluara, rreth 30 mijë udhëtarë dhe mbi 11 mijë automjete kanë hyrë dhe kanë dalë nga ky vendkalim. Pjesa më e madhe e udhëtarëve janë shtetas të huaj, të cilët kanë zgjedhur bregdetin shqiptar për pushimet e tyre verore”, njoftuan mediumet shqiptare.

Për t’u përballuar me këtë fluks, autoritetet kufitare kanë vënë në funksion katër sportele për qytetarët dhe një sportel të dedikuar për automjete transportuese.

Frekuencë e rritur është regjistruar edhe në vendkalimin kufitar “Bllatë” në Dibër, i cili, pas ndërtimit të “Rrugës së Arbrit”, përdoret gjithnjë e më shumë, për shkak të distancës së zvogëluar, vetëm 70 kilometra, nga vendkalimi e deri në Tiranë.

Në këtë vendkalim, sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë, në gjashtë muajt e parë të këtij viti, është regjistruar frekuencë historikisht rekord, respektivisht kanë kaluar 574.737 udhëtarë, që është 55 për qind më shumë se krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kur janë regjistruar 370.827 udhëtarë.

MARKETING