Rregull i ri i FIFA-s: Kartoni gjelbër përdoret për herë të parë në një garë zyrtare

Kupa e Botës U20, që ka nisur këtë fundjavë në Kili, solli një risi historike për botën e futbollit.
Për herë të parë u zbatua “kartoni i gjelbër”, një rregull i ri i FIFA-s që u jep trajnerëve të drejtën të kërkojnë rishikim të një vendimi përmes VAR-it.
Në ndeshjen mes Marokut dhe Spanjës, trajneri i Marokut, Mohamed Ouahbi, ushtroi këtë të drejtë në minutën e 78-të, pasi gjyqtari akordoi një penallti për spanjollët.
Pas rishikimit të videos, vendimi u ndryshua: penalltia u anulua dhe futbollisti spanjoll u ndëshkua me karton të verdhë për simulim.
Kartoni i gjelbër funksionon ngjashëm me “sfidë” në sportet amerikane. Sipas rregullave të reja, trajnerët dhe kapitenët mund ta përdorin vetëm një herë për pjesë loje dhe vetëm në raste kyçe: penallti të mundshme, kartonë të kuq, gola të diskutueshëm ose identitet të gabuar të lojtarëve.
FIFA ka theksuar se kartoni i gjelbër është në fazë testimi dhe do të përdoret vetëm në Kupën e Botës U20 në Kili. Qëllimi është të shihet se si funksionon rregulli në praktikë, sa e ngadalëson lojën, a ndihmon në marrjen e vendimeve më të drejta dhe si reagojnë trajnerët, gjyqtarët dhe tifozët.
Pas përfundimit të turneut, FIFA do të bëjë një analizë të hollësishme për të vendosur nëse ky sistem do të zgjerohet në kompeticione të tjera, përfshirë kualifikueset, Ligën e Kampionëve dhe kampionatet kryesore evropiane.