Roli dhe misioni i hoxhës

Roli dhe misioni i hoxhës

Shkruan: Hoxhë Husamedin Abazi

“Hoxho, mos fol, mos shkruaj dhe mos u merr me injoranta!”
“Hoxho, mos u merr me qafira!” “Hoxho, mos u merr me munafika, mos u ul me murteda!
“Hoxho, mos fol për arsimin, shëndetësinë, ekonominë, korrupcionin, politikën, mos shko në këtë televizion, në atë kanal, në këtë portal, në atë medium sepse këta janë të shthurrur, janë zullumqarë, janë shfrytëzues, të pamoralshëm, të papërmirësueshëm, të humbur!” etj.

Të gjitha këto dhe shumë tjera na i thonë disa dashamirë dhe jo dashamirë. Jodashamirët dhe injorantët në fe i kuptojmë, sepse ata së pari nuk e njohin fenë, e më konkretisht Islamin, dhe prandaj edhe e shohin hoxhën në rolin e një murgu që duhet të mbyllet në xhami dhe të hjek tespih gjithë kohën dhe mos të përfshihet në jetën shoqërore aktive në asnje formë të saj, sepse kështu kanë mësuar për rolin e religjionit dhe klerikëve në jetë. Disa nga këta dashakëqinjë, mu për shkak se e njohin Islamin dhe rolin e tij të pazëvendësueshëm në jetën shoqërore aktive, ata qëllimisht dëshirojnë ta përjashtojnë dhe dëbojnë Islamin nga bartja e mesazhit dhe misionit të tij në shoqëri dhe e cungojnë atë duke e mbyllur në kafazin e terrenit të ngushtë ku vepron religjioni. Me këta, as nuk çuditemi dhe as që presim të mendojnë ndryshe. Ata që na habisin dhe nuk i kuptojmë, janë muslimanët që e kuptojnë dhe i praktikojnë disa aspekte të Islamit, por jo Islamin dhe prandaj edhe na i thonë të lartshënuarat, gati si jodashamirët dhe dashakëqinjtë! Një musliman/e që pak ka lexuar për Islamin burimor, assesi nuk na thotë mos fol, mos shkruaj, mos merr pjesë në emisione ku prezantojnë pabesimtarë, armiqë, munafikë. Nuk na thonë mos e luftoni korrupcionin, padrejtësinë shoqërore, pabarazinë në shkollim, punësim, avancim. Nuk na thonë mos diskutoni me njerëz të humbur e të shthurur se vetëm humbni kohë… Sepse ai dhe ajo e dijnë se me krejt këto na porositë Kur’ani dhe krejt këto i ka vepruar Pejgamberi ynë, Muhammedi a.s. Po të izolohej Pejgamberi a.s dhe të mbyllej në xhami, asnjë ndryshim të realitetit të hidhur në të cilin e gjeti fillimisht shoqërinë Mekkase dhe mandej edhe atë Medinase, nuk do arrinte ta bënte. Muhammedi a.s doli nga xhamia dhe hyri në treg, në shtëpitë e Mekkasve, në mexhliset vendimmarrëse, në organizimet dhe ndejat shoqërore dhe gradualisht e ngriti shoqërinë Islame dhe Shtetin e Medinës. Kur’an-i dhe Sunnet-i na thërrasin të flasim dhe veprojmë në përmirësimin e të keqës, avancimin e të mirës, ngritjen morale, luftimin e kamatës dhe ngritjen e institucioneve të pastra financiare, arsimit të shëndoshë dhe udhëheqjes së drejtë. Hoxha që i shmanget kësaj praktike, ai vetëm Hoxhë nuk është.
Kolosi Islam Ebu Hamid El Gazaliu r.a thotë: “Të gjithë njerëzit janë të humbur, përveç dijetarëve, dhe dijetarët janë të gjithë të humbur, përveç vepruesve, dhe vepruesit të gjithë janë të humbur, përveç atyre me qëllim të pastër, dhe ata që kanë qëllim të pastër janë në rrezik të madh”.

Nëse ndokush kësaj i thonë politikë, ne i themi ky është Islami. Ne jemi pjesë e kësaj shoqërie, dhe assesi nuk do të qëndrojmë indiferent ndaj zhvillimeve që prekin fillimisht jetët tona, dhe më pas tërë shoqërinë. Ne nuk do të lejojmë të përjashtohemi nga jeta shoqërore. Ne përfaqësojmë diçka dhe dikë. Përfaqësojmë njerëz që frekuentojnë xhamitë tona, kërkojnë këshillat tona dhe prezantojnë në ligjeratat tona. Ne nuk do heshtim, nuk do mbyllemi, përndryshe nuk do e heshtnim vetëm vetën tonë, por do shtypnim zërin e mijëra njerëzve vlerat e të cilëve/cilave ne kemi detyrë dhe mision t’i bëjmë të dëgjohen nga të gjithë. Ne nuk do i lëjmë këta njerëz pa zë. Nuk do t’i braktisim për shkak së një grup i vogël përmes presionit, talljeve e ofendimeve, kërkon që këta njerëz t’i mbështetë për muri dhe t’i bëjë të ndihen irrelevant, të parëndësishëm. Ne nuk do të ndalemi! Ne do ngrisim zërin kundër çdo gjëje që tenton ta dëmtoj moralin dhe natyrshmërinë njerëzore të shoqërisë tonë. Ne jemi pak, por përfaqësojmë shumicë.

MARKETING