Rexhepi: Lëvizja Populli nuk do të shkrihet në parti tjetër
Kryetari i Lëvizjes Populli, Skender Rexhepi – Zejd, sonte në emisionin “Debat në SHENJA”, theksoi se subjekti i tij nuk ka në plan të shkrihet në asnjë parti tjetër.
“As nuk ka ndodhur, as nuk do të ndodhë çështja e shkrirjes. Lëvizja Populli është subjekti më i fundit i regjistruar dhe ndoshta edhe më i vogli në skenën politike, por ka trashëgimtarë, pasues, kuvendarë dhe aktivistë që me dinjitet do të vazhdojnë këtë rrugëtim politik,” deklaroi Rexhepi.
Ai shtoi se Lëvizja Populli mund të vazhdojë të funksionojë si pjesë e koalicionit ose si subjekt i pavarur, por çështja e shkrirjes nuk ka qenë dhe nuk diskutohet kurrë. Rexhepi përmendi gjithashtu bisedimet që ka pasur me kryetarin e BDI-së, duke theksuar se qëndrimi i tyre ndaj shkrirjes ka qenë gjithmonë i qartë.
“Asnjëherë nuk do të lejohet që të bëhemi pjesë e një subjekti tjetër politik. Kjo ka qenë gjithmonë linja jonë, që nga fillimi dhe vazhdon të mbetet e tillë,” përfundoi ai. /SHENJA/

