Rexhepi: ‘Balancuesi’ ishte më i mirë, arriti më shumë punësime
Kryetari i Lëvizjes Populli, Skender Rexhepi – Zejd, sonte në emisionin “Debat në SHENJA”, vlerësoi se mekanizmi i njohur si “Balancuesi” ishte më efektiv për sigurimin e punësimeve sesa ligji aktual për përfaqësim të drejtë dhe adekuat.
“Ky ligj nuk funksionon as për nxënësit e shkollave fillore. E kam thënë edhe në pyetje ndaj kryeministrit, por nuk pati mundësi të përgjigjej. Nuk ekziston mekanizëm për të kontrolluar përfaqësimin e drejtë dhe adekuat. Ndërkohë, Balancuesi ishte shumë më i mirë, sepse edhe pse keqpërdorej nga disa qytetarë, qofshin maqedonas apo shqiptarë, ai arriti të sigurojë një numër të madh punësimesh,” deklaroi Rexhepi.
Ai shtoi se një gabim i vogël nuk duhet të shkatërrojë të gjithë sistemin, por se duhet të gjendet një mekanizëm për ta përmirësuar dhe shëruar atë. /SHENJA/

