Republikanët e akuzojnë Bidenin për “hipokrizi” lidhur me dokumentet e klasifikuara
Republikanët e kanë akuzuar presidentin amerikan, Joe Biden, për “hipokrizi”, pasi së fundmi janë zbuluar më shumë dokumente të klasifikuar anë shtëpinë e presidentit në Delauer.
“Nëse jetoni në një shtëpi prej qelqi, mos hidhni gurë”, tha për ABC, kongresisti republikan nga Nebraska, Don Bacon.
Të paktën 20 dokumente që datonin nga koha kur Biden ishte nënpresident në administratën e Barack Obamës, janë gjetur në shtëpinë e tij dhe në një zyrë që Biden ka përdorur në Uashington.
Biden kishte kritikuar paraardhësin e tij, Donald Trump, pasi në shtëpinë e ish-presidentit amerikan u gjetën dokumente të klasifikuara.
“Si mund dikush të jetë kaq i papërgjegjshëm”, kishte deklaruar atëbotë Biden.
Trump po hetohet nga një këshilltar i posaçëm për shkak të zbulimit të qindra dokumenteve të klasifikuara në shtëpinë e tij Mar-a-Lago vitin e kaluar.
Byroja Federale e Hetimeve (FBI) ka kryer bastisje pasi që ekipi i Trumpit nuk u kishte dorëzuar autoriteteve të gjitha dokumentet që ishin zbuluar se mungonin.
Biden po ashtu po hetohet nga këshilltari i posaçëm, Robert Hur, i cili është emëruar nga Departamenti amerikan i Drejtësisë, për të hetuar mënyrë se si presidenti kishte vepruar me dokumentet e klasifikuara.
Ende është e paqartë se sa dokumente janë gjetur në posedimin e Bidenit, por CBS ka raportuar se disa prej tyre ishin të shënjuara “top sekret”, që është niveli më i lartë i klasifikimit.
Sipas ligjit, të gjitha dokumentet e Shtëpisë së Bardhë duhet të dërgohen në Arkivat Kombëtare pas përfundimit të mandatit.
Të dielën, një numër republikanësh po ashtu akuzuan Bidenin për standarde të dyfishta.
James Comer nga Kentaki tha për CNN se “përderisa ai po bënte këtë [po akuzonte Trumpin], ai e dinte mirë se vetë kishte nën posedim dokumente të klasifikuara, prandaj hipokrizia është shumë e madhe në këtë rast”.
Edhe disa demokratë po ashtu kanë ngritur shqetësime lidhur me dokumentet e klasifikuara. Adam Schiff, ligjvënës demokrat në Dhomën e Përfaqësuesve tha për mediat se dëshiron të dijë “nëse ka ndonjë rrezik të ekspozimit dhe cili do të jetë dëmi” për sigurinë kombëtare si pasojë e dokumenteve të klasifikuara që iu gjetën Bidenit.
Shtëpia e Bardhë nuk ka deklaruar se për sa kohë të gjatë e ka ditur Biden se dokumentet ishin nën posedimin e tij, por ka insistuar se avokatët e presidentit i kanë dorëzuar dokumentet menjëherë pasi i kanë gjetur.
Është e paqartë se me çfarë ndëshkimesh mund të përballet Biden, por ekspertët kanë thënë se nuk pritet të ngrihen akuza penale, pasi prokurorët duhet të vërtetojnë se presidenti dhe ndihmësit e tij me qëllim kanë marrë dokumentet.
Biden është shprehur i habitur kur ka kuptuar se janë gjetur materiale të klasifikuara.
Grupi i parë i dokumenteve u gjetën më 2 nëntor në zyrën e Qendrës Penn Biden, disa ditë para mbajtjes së zgjedhjeve të mesmandatit. Megjithatë, gjetja e tyre u bë publike javën e kaluar.
Më pas u njoftua se janë gjetur edhe disa dokumente në shtëpinë private të presidentit amerikan në Delauer. /Rel