Rëndohet bilanci i viktimave dhe i të lënduarve nga tërmeti në Turqi
Të paktën 284 persona kanë humbur jetën dhe 2.323 të tjerë janë plagosur në 10 provinca që u goditën nga tërmeti shkatërrues në pjesët jugore të Türkiye-s të hënën në mëngjes, njoftoi zëvendëspresidenti turk Fuat Oktay, raporton Anadolu.
Gjithsej 1.710 ndërtesa u shembën nga tërmeti, tha Oktay në një konferencë për media.
Epiqendra e tërmetit u regjistrua në qarkun Pazarcik në Kahramanmaraş të Türkiye-s dhe pasuan 50 pasgoditje, më e forta prej të cilave ishte 6.6 ballë të shkallës Rihter.
Gjithashtu nga tërmeti janë prekur rëndë edhe provincat Gaziantep, Sanliurfa, Diyarbakır, Adana, Adıyaman, Malatya, Osmaniye, Hatay dhe Kilis.
Tërmeti u ndje edhe në Sirinë fqinje, ku të paktën 427 persona humbën jetën dhe qindra u plagosën. Lëkundjet e tokës janë ndjerë edhe në Irak, Liban, Egjipt dhe rajone të tjera.
“Presidenti Recep Tayyip Erdoğan ka monitoruar dhe menaxhuar zhvillimet që nga momenti i tërmetit”, tha Oktay.
Ai shtoi se aeroporti i Hatay-it aktualisht është mbyllur për fluturime, duke shtuar se është mbyllur edhe aeroporti Kahramanmaraş dhe Gaziantep për fluturimet civile.
Erdoğan shprehu ngushëllimet e tij në Twitter për qytetarët e prekur nga tërmeti dhe shtoi se Agjencia Turke e Menaxhimit të Emergjencave (AFAD) dhe institucione dhe agjenci të tjera shtetërore tashmë janë në zonat e prekura.
Ai theksoi se ekipet e shpëtimit janë dërguar menjëherë në zonat e prekura nga tërmeti.
Të gjitha shërbimet kompetente të Republikës së Türkiye-s janë angazhuar në operacionet e kërkim-shpëtimit dhe ekipet përkatëse nga të gjitha pjesët e Türkiye-s po mbërrijnë në zonat e prekura nga tërmeti. Përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme, Türkiye kërkoi ndihmë ndërkombëtare në fushën e kërkim-shpëtimit.