Rekord shpenzimesh për Premier Ligë në merkato, Liverpuli nuk kursehet aspak

Klubet e Premier Ligës treguan se nuk njohin sërish limite, aq sa kanë thyer çdo rekord historik në shpenzimet e merkatos së verës, duke kaluar shifrën 3 miliardë sterlina (3.5 miliard euro). Një shumë kjo më e lartë se rekordi i mëparshëm prej 2.4 stërlinash në vitin 2023, sipas të dhënave të Transfermarkt.
Rekordi brenda kufinjve anglezë e jo vetëm u vendos nga Liverpuli, që pagoi 125 milionë sterlina për Aleksander Isak, ndërsa më herët kampionët e Anglisë kishin blerë Florian Virtz për 100 milionë paund, një marrëveshje që me bonuset mund të shkojë deri në 116 milionë. E vetëm këto dy lëvizje e çuan shifrën e shpenzimeve të klubit në rreth 400 milionë.
ANALIZA – Sipas një analize të “The Times”, bëhet fjalë për një “stuhi perfekte” faktorësh që kanë rritur ndjeshëm fuqinë financiare të klubeve angleze. Së pari, garancitë nga të ardhurat televizive, me marrëveshjen e re vendase për katër vitet e ardhshme, që siguron stabilitet financiar. Tjetër hallkë është dominimi në Europë: gjashtë klube angleze janë në Champions League, duke gjeneruar 50-100 milionë sterlina secila. Pa harruar edhe fitimet nga Botërori i Klubeve, ku Mançester Siti dhe Çelsi morën respektivisht 40 dhe 80 milionë sterlina. Llogaritë përfshijnë edhe marrëveshjet gjigante komerciale, si kontrata e Sitit me Puma (1 miliard sterlina/10 vjet) dhe ajo e Liverpulit me Adidas (60 milionë sterlina në vit + bonuse). Gjithashtu ndikojnë edhe fakti që ka më pak kufizime nga rregullat e “PSR” krahasuar me verën e kaluar, kur shumë klube u penalizuan.
SHPENZIMET – Një pjesë e madhe e shpendimeve i përket Liverpulit, që ka investuar plot 489 milionë euro për afrimet e bujshme të Isak – 150 milionë euro; Virtz – 125 milionë; Hugo Ekitike – 95 milionë euro; Kerkez – 46.9 milionë; Frimpong – 40 milionë euro, apo Leoni – 31 milionë. Gjithashtu, klubet e tjera të mëdha nuk kanë mbetur pas. Mançester Siti, Junaitid, Arsenal, Totenhem, Çelsi e Njukasëll kanë lëvizur fuqishëm me transferime të tilla si Uoltemade – 85 milion; Sesko – 76.5 milionë; Zubimendi – 70 milionë; Simons – 65 milionë; Zhoao Pedro – 63.7 milionë euro. Mesatarisht, një skuadër e Premier League ka shpenzuar mbi 178 milionë euro këtë verë.