Regj’imi sirian tërhiqet nga lindja e Eufratit
Forcat e regjimit të presidentit sirian Bashar al-Assad u tërhoqën nga qendra e provincës al-Hasakah dhe rrethi Qamishli në verilindje të vendit, në lindje të Lumit Eufrat, duke i lënë ato nën pushtimin e grupit terrorist PKK/YPG, thanë sot burime lokale, transmeton Anadolu.
Ushtria e regjimit të premten tërhoqi disa nga forcat e saj të vendosura në provincën Deir ez-Zor në lindje të vendit në kufi me Irakun dhe ia dorëzoi qendrën e provincës terroristëve të PKK/YPG-së.
Ky hap vjen pas një jave zhvillimesh dramatike në vend, ku forcat që kundërshtojnë Asadin kanë bërë përparime kundër forcave të regjimit.
– PKK/YPG-ja terroriste kërkon të shfrytëzojë vakumin e sigurisë
Mes pengesave për regjimin e Asadit, PKK/YPG-ja terroriste po kërkon të shfrytëzojë situatën e paqartë të sigurisë.
Në fushatën e saj terroriste 40-vjeçare kundër Türkiyes, PKK-ja – e listuar si organizatë terroriste nga Türkiye, SHBA-ja dhe BE-ja – ka qenë përgjegjëse për vdekjen e mbi 40.000 njerëzve, duke përfshirë gra, fëmijë, foshnja dhe të moshuar.
YPG-ja është dega e PKK-së në Siri, skenë e luftimeve aktuale dhe një zonë ku për vite me radhë grupi është përpjekur të krijojë një korridor terrorist përgjatë kufirit turk.
Vitet e fundit, Türkiye ka dislokuar trupa dhe ka punuar me aleatët lokalë si Ushtria Kombëtare Siriane opozitare për ta parandaluar këtë dhe për t’i mbajtur vendasit të sigurt nga shtypja terroriste.
– Zhvillimet në Siri
Luftimet e reja midis forcave të regjimit dhe grupeve kundër regjimit shpërthyen më 27 nëntor në zonat rurale në perëndim të qytetit të madh të Halepit.
Deri më 30 nëntor, forcat opozitare morën kontrollin e pjesës më të madhe të qendrës së qytetit të Halepit dhe kishin vendosur dominimin në gjithë provincën Idlib.
Më 1 dhjetor, Ushtria Kombëtare Siriane e opozitës nisi operacionin “Agimi i Lirisë” kundër grupit terrorist PKK/YPG në rrethin Tel Rifaat në provincën e Halepit, duke çliruar zonën nga elementët terroristë.
Forcat kundër regjimit morën Haman të enjten dhe vazhduan të përparojnë të premten, duke marrë nën kontroll rrethet Rastan dhe Talbiseh në provincën Homs.