Real Madridi mund ta transferojë lojtarin e preferuar të Xabi Alonsos për 110 milionë euro
Florian Wirtz gjendet sërish në qendër të debatit të tregut europian, pas një zhvillimi të papritur në situatën e tij te Liverpooli.
Futbollisti gjerman, i afruar si ylli i projektit të “Të Kuqve”, nuk ka arritur të ketë ndikimin e pritur në ‘Anfield’.
Statistikat e tij pasqyrojnë një realitet shqetësues. Pa asnjë gol dhe me vetëm pesë asistime në Ligën Premier, Ligën e Kampionëve dhe Community Shield, paraqitjet e tij janë shumë më poshtë pritshmërive për një lojtar që pritej të udhëhiqte ekipin.
Kjo situatë ka krijuar dyshime të brendshme te Liverpooli, i cili ka nisur të rishqyrtojë vazhdimësinë e tij vetëm disa muaj pas një investimi historik.
Në këtë kontekst, Real Madridi rishfaqet në skenë, pa e humbur kurrë plotësisht nga radarët mesfushorin ofensiv gjerman.
Sipas Defensa Central, Liverpooli do të ishte i gatshëm të ulë ndjeshëm kërkesat financiare për t’u ndarë nga lojtari.
Nga 150 milionë eurot e investuara fillimisht, klubi anglez tani mund të pranojë një shifër rreth 110 milionë euro, një ulje prej 40 milionësh, e lidhur drejtpërdrejt me paraqitjet zhgënjyese të Wirtz.
Këtu hyn në lojë Real Madridi. Klubi spanjoll e kishte Wirtz në radar përpara transferimit të tij në Angli.
Ndikimi i Xabi Alonsos mund të jetë vendimtar. Nëse trajneri arrin të konsolidohet në detyrë dhe ta mbyllë sezonin me një trofe, pozicioni i tij do të forcohej ndjeshëm.
Në një skenar të tillë, Xabi Alonso do të kërkonte sërish Florian Wirtz, lojtarin që ai e shndërroi në yll gjatë kohës së tyre së bashku te Bayer Leverkusen.
Marrëdhënia mes tyre ishte e shkëlqyer. Alonso arriti ta rikthente Wirtz pas një dëmtimi serioz dhe të nxirrte versionin e tij më të mirë në Bundesligë dhe në arenën europiane.

