Reaktorët e vegjël bërthamor së shpejti në treg

Reaktorët e vegjël bërthamor së shpejti në treg

Reaktorët e vegjël bërthamorë, që prodhojnë vetëm një të qindtën e energjisë elektrike dhe që mund të transportohen edhe me kamionë, janë gati të dalin në treg. Sasi të vogla, por domethënëse të energjisë elektrike, pothuajse të mjaftueshme për të furnizuar një kampus të vogël universitar, një spital ose një kompleks ushtarak, do të prodhohen nga një gjeneratë e re mikroreaktorësh bërthamor.

Reaktorët e vegjël bërthamor ndeshen me disa nga sfidat e ngjashme me ato të centraleve të mëdha bërthamore, si mënyra e asgjësimit të mbetjeve radioaktive dhe vendosja e tyre në zona të sigurta.

Mbështetësit tyre thonë se këto çështje mund të menaxhohen dhe përfitimet tejkalojnë çdo rrezik.

Kompania me qendër në Uashington, “Last Energy” po prodhon këta mikroreaktorë, që publiku mund t’i shoh sot. Ajo prodhoi në Teksas një reaktor prototip, i cili është vendosur në një kub të mbuluar me metal reflektues.

“Për prodhimin e mikroreaktorit tonë kemi përdorur të njejtën teknologji bazë dhe të njëjtat materiale që përdoren nga 300 termocentrale në mbarë botën që prodhojnë 10 për qind të energjisë elekrike në nivel global. Ne kemi thjeshtëzuar procesin duke e bërë të mundur prodhimin e tyre me një madhësi më të vogël, në një fabrikë dhe duke e bërë më të lehtë transportimin e tyre”, thotë themeluesi kompanisë “Last Energy”, Bret Kugelmass.

Ai tani po punon me autoritetet në Britani, Poloni dhe Rumani për ta vënë në punë reaktorin e tij të parë në Evropë në vitin 2025.

Sipërmarrësi Kugelmass thotë se mikroreaktorët ulin në mënyrë drastike koston e prodhimit të energjisë së pastër duke e bërë atë të përballueshme jo vetëm për Shtetet e Bashkuara por edhe për mbarë globin.

Energjia bërthamore tradicionale kushton miliarda dollarë. Kostoja totale e mikroreaktorit të kompanisë “Last Energy”, duke përfshirë prodhimin e moduleve, montimin dhe punën e përgatitjes së terrenit, është nën 100 milionë dollarë, thonë drejtuesit e kompanisë.

Disa universitete janë të interesuara për për këtë teknologji për furnizimin e ndërtesave të tyre dhe për të parë mundësinë e zëvendësimit të termocentraleve të prodhimit të energjisë elektrike me qymyr dhe gaz, një nga shkaktarët e ndryshimeve klimatike.

Marc Nichol, drejtor për reaktorët e rinj në Institutin e Energjisë Bërthamore, e sheh interesin nga shkollat si fillim të një prirje të re.

“Universiteti i Ilinoit në Urbana, Universiteti Purdue dhe Universiteti shtetëror i Pensilvanisë po punojnë me kompani të ndryshme për të shqyrtuar mundësinë e përdorimit të energjisë bërthamore, veçanërisht mikroreaktorët bërthamorë për të furnizuar me energji elektrike të pastër ndërtesat në hapësirat e tyre”, thotë ai.

Edhe Departamenti i Mbrojtjes po punon për prodhimin e një mikroreaktori. Projekti “Pele” është një prototip i reaktorit bërthamor të lëvizshëm që ka prodhuar Departamenti i Mbrojtjes në Laboratorin Kombëtar të Ajdahos.

Por jo të gjithë e ndajnë entuziazmin për mikroreaktorët. Edwin Lyman, drejtor për sigurinë e energjisë bërthamore në Unionin e Shkencëtarëve të Shqetësuar, e quajti “plotësisht të pajustifikuar” prodhimin e mikroreaktorëve bërthamor.

“Këta reaktorë do të jenë shumë më pak efikas se reaktorët e mëdhenj, do të paraqesin një sërë rreziqesh sigurie dhe do të prodhojnë energji elektrike shumë më të shtrenjtë. Prandaj, ata që mendojnë se mikroreaktorët do të jenë zgjidhja magjike për krizën e ndryshimeve klimatike janë duke i varur shpresat në një ide të gabuar”, thotë ai.

Eksperti i energjisë bërthamore, Edwin Lyman pret një rritje të madhe të kostos së karburantit dhe një nivel më të madh të mbetjeve bërthamore të krijuar nga mikrorektorët krahasuar me nivelin që krijojnë reaktorët konvencionalë.

Shtetet e Bashkuara nuk kanë një strukturë kombëtare magazinimi për ruajtjen e karburantit të përdorur bërthamor dhe sasia e tij është duke u shtuar gjithnjë e më shumë.

Mikroreaktorët do ta rëndojnë më tej këtë problem thotë eksperti i energjisë bërthamore, Edwin Lyman./VOA

MARKETING