Reagon ish-drejtoresha, Iliazi: Po përballem me një padrejtësi të madhe
Pas vendimit të Gjykatës Themelore në Tetovë që e obligon të kthejë 659.831 denarë në Klinikën e Toksikologjisë për shkak të angazhimit të 17 honoraristëve, ka reaguar ish-drejtoresha ekonomike e këtij institucioni, Besija Iljazi.
Në një deklaratë publike, Iljazi thekson se nuk ka paguar “honorare të paligjshme”, por persona që, sipas saj, kishin punuar për më shumë se gjashtë muaj pa marrë pagë.
“Unë sot po flas jo vetëm si ish-drejtoreshë ekonomike në Klinikën e Toksikologjisë, por si njeri që po përballet me një padrejtësi të madhe. Nuk kam paguar ‘honorare’ të paligjshme. Kam paguar njerëz që kanë punuar çdo ditë në Klinikë, me përgjegjësi dhe dinjitet, për më shumë se gjashtë muaj pa marrë asnjë rrogë,” thuhet në reagimin e saj.
Ajo pretendon se personat në fjalë nuk ishin punësuar prej saj, por i kishte gjetur duke punuar pa kontrata dhe pa paga, ndërsa pagesat, sipas saj, janë bërë për të kompensuar punën e kryer.
“Unë nuk kam bërë asgjë tjetër përveçse kam kërkuar që atyre t’u jepet ajo që u takonte. A është krim të paguash dikë që ka punuar? A është keqpërdorim t’ia japësh hakun atij që e ka merituar me djersë?” shprehet Iljazi.
Në reagimin e saj, ajo ngre edhe pretendime për diskriminim, duke thënë se të gjithë të angazhuarit janë larguar nga puna dhe, sipas saj, janë përjashtuar vetëm pse ishin shqiptarë.
Iljazi rikujton se e ka pranuar përgjegjësinë ligjore për veprën penale “keqpërdorim i pozitës dhe autorizimit zyrtar”, me ç’rast është dënuar me kusht me dy vite burg, me periudhë prove katërvjeçare, si dhe me program individual probacioni dhe plan mbikëqyrjeje.
“E pranova përgjegjësinë time ligjore, sepse besova se kështu do të mbyllej një kapitull i dhimbshëm. Por e vërteta ime mbetet kjo: nuk kam vjedhur, nuk kam përfituar asnjë denar për vete. Kam vepruar me bindjen se po bëja gjënë e drejtë,” thuhet më tej në deklaratën e saj.
Në fund, Iljazi thekson se do të vazhdojë të jetojë “me ndërgjegje të pastër”, duke shtuar se, sipas saj, dënimi nuk është ajo që e dhemb më shumë, por mesazhi që, siç shprehet, po u jepet qytetarëve për mënyrën se si matet drejtësia.

