Rastet më të rënda ishin pacientët e parë që dërguam në vendet fqinje, thotë Taravari

Rastet më të rënda ishin pacientët e parë që dërguam në vendet fqinje, thotë Taravari

Pacientët e parë që dërguam në Beograd, Sofje dhe Selanik ishin rastet e lënduar më rëndë nga zjarri që shpërtheu në diskotekën e Koçanit. Kështu deklaroi ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, në TV 21, duke treguar se ofertat e para për mjekim kanë ardhur nga vendet fqinje, si Serbia, Greqia, Bullgaria, por edhe nga Turqia.

“Kjo liroi kapacitetet spitalore për të marrë ata pacientë që ishin të shtruar në spitalet në Koçan dhe Shtip. Në ditët në vijim kemi vazhduar dërgimin e pacientëve për trajtim jashtë vendit”, tha Taravari.

Ai theksoi se rehabilitimi i të lënduarve diku do të zgjasë me javë, diku me muaj, por në përgjithësi shërimi i tyre do të jetë një proces i gjatë.

“Ne do të bëjmë çmos për të minimizuar pasojat, sepse në përgjithësi këta janë fëmijë. Shumica janë fëmijë nga mosha 15 deri në 25 vjeç, për të cilët pamja ka rëndësi,” tha ai.

Sipas tij, përshtypja e shumicës së mjekëve të huaj dhe ekspertëve të djegieve në vend është se situata në Spitalin e Përgjithshëm “8 Shtatori” dhe Spitalin “Shën Naum Ohridski” po menaxhohet relativisht mirë.

Gjatë dy ditëve të fundit janë bërë vlerësime se cilët pacientë të shtruar në spitalet tona do të trajtohen jashtë vendit dhe cilët do të qëndrojnë këtu.

Ministria e Shëndetësisë sot pasdite ka njoftuar për qendrat mjekësore jashtë vendit ku po trajtohen pacientët e lënduar nga zjarri në Koçan.

Deri më tani, 101 pacientë janë dërguar për trajtim jashtë vendit, duke përfshirë Serbinë, Bullgarinë, Slloveninë, Kroacinë, Greqinë, Italinë, Austrinë, Belgjikën, Lituaninë, Turqinë, Suedinë, Hungarinë dhe Poloninë.

Sipas njoftimeve të fundit, tre persona të tjerë do të trajtohen në Turqi dhe shtatë do të transportohen në Spanjë.

MARKETING