Raporti i BE-së, BDI: Qeveria dështoi në klasterin e parë
BDI vlerëson se raporti i Komisionit Evropian për klasterin e parë përmban kritikat më serioze për Maqedoninë e Veriut në vitet e fundit. Nënkryetari i BDI-së, Arbër Ademi, tha se ky klaster, që përfshin demokracinë, administratën publike, ekonominë dhe prokurimet, është thelbësor për negociatat me BE-në.
Sipas Ademit, qeveria ka dështuar në sundimin e ligjit, pavarësinë e gjyqësorit dhe luftën kundër korrupsionit. Ai shtoi se liria e mediave është dobësuar, administrata është e politizuar, dhe ekonomia ka jostabilitet dhe mungesë reformash.
Raporti tregon gjithashtu se institucionet që mbrojnë të drejtat e qytetarëve janë të dobëta dhe se rekomandimet e vitit të kaluar nuk janë zbatuar. BDI paralajmëron se nëse nuk ka përparim të shpejtë, vendi rrezikon të ngecë më tej në procesin e integrimit evropian.
Mesazhi kryesor i BE-së, sipas BDI-së, është i qartë: pa reformat dhe ndryshimet kushtetuese, negociatat e vendit me Bashkimin Evropian janë të bllokuara.

