Rang lista e FIFA-s, Maqedonia nuk lëviz, Shqipëria humb dy pozicione

Rang lista e FIFA-s, Maqedonia nuk lëviz, Shqipëria humb dy pozicione

Shtëpia e Futbollit Botëror FIFA, sot ka bërë renditjen më të re për ekipet përfaqësuese. Përfaqësuesja e futbollit të Maqedonisë së Veriut ka ruajtur status-kuonë në këtë ranglistë edhe përkundër faktit që mundi Maltën dhe Ishujt Faroe, teksa mban pozitën e 65-të në botë.

Ndërkaq, humbja me Poloninë i ka kushtuar Shqipërisë zbritjen e dy pozicioneve në renditjen e përgjithshme të FIFA-s, me kuqezinjtë që renditen në vendin e 68-të, dy më poshtë se muaji i kaluar. Skuadra e drejtuar nga braziliani Silvinjo, u mposht 1:0 nga Polonia edhe pse zhvilloi një takim pozitiv.

Sa i takon Kosovës, dardanët nuk kanë ndryshuar pozicion, duke u renditur edhe këtë muaj në vendin e 107-të. Dardanët barazuan në dy ndeshjet e para në kualifikueset e kampionatit europian. Fillimisht barazuan 1-1 me Izraelin në Tel Aviv, ndërsa tri ditë më vonë, Kosova zhgënjeu në “Fadil Vokrri” duke u ndaluar nga Andorra me të njëjtin rezultat.

Gjashtë vjet pas kryesimit të fundit në renditjen botërore, Argjentina është rikthyer sërish në majën e futbollit botëror. Fitoret e fundit miqësore kundër Panamasë dhe Gurasao ndihmuan kampionët e botës të rrëzonin nga froni Brazilin. Kjo e fundit jo vetëm që ka zbritur nga froni, por gjithashtu ka humbur edhe vendin e dytë. Franca është ngjitur një vend më lart për shkak të fitoreve të njëpasnjëshme në kualifikueset e Euro 2024 kundër Holandës dhe Irlandës.

MARKETING