Ramiz Merko dënohet me një vit burgim me kusht

Kryetari i Komunës së Strugës, Ramiz Merko, është dënuar me dy vite burg me kusht dhe një gjobë prej 2,500 eurosh për emërimin e paligjshëm të dy drejtorëve në shkolla publike.
Sipas vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë, Merko është shpallur fajtor për emërimin e kundërligjshëm të një drejtori në shkollën fillore “Zini Hani” në Veleshtë dhe një tjetri në shkollën “Vëllezërit Milladinovi”.
Pjesë e të njëjtit vendim është edhe Egzona Shei, e cila ka mbajtur pozitën e drejtoreshës së përkohshme me dokumentacion të falsifikuar. Ajo është dënuar gjithashtu me burg me kusht për një periudhë dyvjeçare.
Gjyqtari Jordan Jovanov deklaroi se, nëse brenda dy viteve të akuzuarit kryejnë ndonjë vepër tjetër penale, dënimi me kusht do të shndërrohet në një vit burg efektiv.
Sipas vendimit gjyqësor, Egzona Shei kishte filluar punën në shkollë si absolvente dhe kishte ushtruar funksionin e praktikantes për katër vite. Megjithatë, kushtet për emërimin e një drejtori kërkonin pesë vjet përvojë pune. Në momentin që diplomoi, ajo u emërua menjëherë drejtoreshë e përkohshme dhe dha provimin profesional të mësuesit vetëm kur nisi mandatin e saj të tretë si ushtruese detyre.
“Dokumentet përmbajnë elemente të veprës penale ‘përdorim të dokumentit me përmbajtje të rreme’. Nuk është fjala për deklarata të rreme, por për mospërputhje të përmbajtjes me të vërtetën”, sqaroi gjyqtari Jovanov.