Rama për presidencën e KS-OKB-së: Është një moment historik në marrëdhëniet ndërkombëtare të Shqipërisë

Rama për presidencën e KS-OKB-së: Është një moment historik në marrëdhëniet ndërkombëtare të Shqipërisë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka theksuar se Presidenca Shqiptare e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB), që mbahet gjatë muajt shtator 2023, është një moment historik në marrëdhëniet ndërkombëtare të Shqipërisë, transmeton Anadolu.

Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, kryeministri Rama është ndalur në disa çështje që lidhen me Presidencën e Shqipërisë në KS-OKB, procesin e reformave në Shqipëri, procesin normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe çështje të tjera.

“Shqipëria është shembull i veçantë i mos abuzimit me komunitetet etnike të saj të pranishme në vende të tjera. Ne kurrë nuk nxisim trazime etnike as në shtetet fqinje, as mes shteteve fqinje, duke prekur ndjenja që mund të ushqejnë kundërshti e të ndezin konflikte në këtë lagje të Evropës, ku jemi të gjithë të dënuar të jetojmë së bashku në jetë të jetëve dhe të detyruar të bëjmë çmosin që t’u lemë fëmijëve tanë një hapësirë mirëkuptimi, tolerance, paqeje”, është shprehur Rama.

Rama ka theksuar se shumica parlamentare dhe qeveria që ai drejton, kanë ideuar e mbështetur vendosmërisht një reformë aq të thellë dhe aq thellësisht europizuese të sistemit drejtësisë.

“Shqipëria po e nxjerr kokën mbi ujin e ndenjur të pandëshkueshmërisë sistemike 100 e kusur vjeçare. Hetimi dhe ndjekja e pavarur penale e një sërë zyrtarësh të lartë të lidhur me pushtetin politik të radhës, përfshirë njërin prej zëvendëskryeministrave të mi të mëparshëm (ish-zëvendëskryeministri i Shqipërisë, Arben Ahmetaj), janë prova kokëfortë e një ndryshimi epokal në jetën e vendit tonë”, thekson Rama.

Duke iu referuar takimit të radhës në Bruksel mes Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, Rama tha se “lutem që mos të jetë një tjetër xhiro bosh”.

“Pavarësisht lidhjeve tona të ngushta dhe marrëdhënies unike ndoshta në botë me Kosovën, si shteti tjetër shqiptar në kufi me Shqipërinë, ne kemi qenë, jemi dhe do të jemi të përputhur plotësisht në linjën e përpjekjeve të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, për të realizuar planin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Jo sepse aleatët tanë të mëdhenj strategjikë kanë gjithnjë, medoemos, të drejtë, po sepse deri më sot ata nuk kanë qenë asnjëherë gabim në kërkesën e tyre ndaj të dyja vendeve, e së fundmi Kosovës veçanërisht”, shkruan Rama.

Ai ka shtuar se tani është koha që edhe “Serbia të dalë nga llogorja e absurdit të mohimit të realitetit dhe të veprojë në mirëbesim, duke mundësuar një sekuencë zbatimi që i përmbush nevojat e të dyja palëve në kuadër të planit franko-gjerman”.

Rama është shprehur se një përfundim i suksesshëm i procesit të normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë është i domosdoshëm edhe për të ardhmen e qëndrueshme të marrëdhënieve Shqipëri-Serbi.

Në lidhje me çështjen e kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Himarës, Alfred Beleri, i cili ndodhet në paraburgim dhe që ka shkaktuar reagime në Shqipëri dhe Greqi, Rama tha se “Ndonjë po thotë se kur vjen puna tek ndonjë patate shumë e nxehtë në duart e drejtësisë, si ajo e zotit Beleri, unë duhet të ndërhyj e ta hedh pataten në det, por kjo nuk ka për të ndodhur kurrsesi. Dhe unë vetëm do të përsëris deri në bezdi për shumëkënd, se lufta kundër korrupsionit dhe kriminalitetit të organizuar vetëm do të thellohet, pavarësisht dhimbjeve e kostove”.

Rama ka theksuar se leksione bashkëjetese e respekti për etnitë e tjera Shqipërisë nuk i jep dot askush.

Kujtojmë se që nga më 1 shtatori 2023 Shqipëria mban Presidencën e saj të dytë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB). Shqipëria është zgjedhur për herë të parë anëtare jo e përhershme në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për periudhën 2022-2023.

MARKETING