Rama: Evropa sot ka më shumë nevojë për Turqinë sesa Turqia për Evropën

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se Evropa sot ka më shumë nevojë për Türkiyen dhe aleatët e Lindjes së Mesme sesa këto të fundit për Evropën, raporton Anadolu.
Kryeministri Rama foli para të ftuarve në programin e iftarit të organizuar nga ai në ambientet e Pallatit të Kongreseve në Tiranë, ku të pranishëm ishin zyrtarë të lartë, ambasadorë dhe personalitete nga fusha të ndryshme.
Ndër të tjera, Rama gjithashtu tha se myslimanët e Shqipërisë janë një vlerë e shtuar e “qenies sonë”, sipas tij një vend i denjë për të qenë anëtarët më të rinj të Bashkimit Evropian (BE).
“Dhe Evropa sot ka nevojë për sa më shumë qytetarë dhe partnerë luajalë të besimit islam siç janë myslimanët shqiptarë, por edhe për pesë shtyllat e urtësisë së tij, për t’u mëkëmbur ndërkombëtarisht e për të forcuar sigurinë e vet gjeopolitike dhe profilin e saj të zbehur strategjik. Evropa ka nevojë sot më shumë për Türkiyen dhe aleatët e tjerë të Lindjes së Mesme se sa Türkiye dhe aleatët në fjalë kanë nevojë për Evropën e sotme”, tha Rama.
Në fjalën e tij, Rama po ashtu u shpreh se kjo sofër tradicionale i jep gjithmonë një ndjesi gati fëmijërore gëzimi.
“Sot është një iftar i posaçëm edhe për faktin se nga njëra anë imazhi i këtij iftari është imazhi i xhamisë së bukur të Ballies në Elbasan, e cila u vlerësua edhe me një çmim ndërkombëtar për arkitekturën dhe në ndërkohë në Tiranë ka hapur dyert më në fund pas shumë e shumë vitesh pritjeje edhe Xhamia e madhe e Namazgjasë”, tha Rama.
Rama theksoi se e shijon këtë moment të Muajit të Madhërishëm të Ramazanit, “kur na jepet mundësia të ndihemi mirë në besimin tek mirësia e njerëzimit, tek triumfi i dashamirësisë dhe tek rrjedha pozitive e jetës”.