Qyteti që po fundoset në Suedi, zhvendosen shtëpitë dhe kishat në lokalitet të ri

Qyteti që po fundoset në Suedi, zhvendosen shtëpitë dhe kishat në lokalitet të ri

Qyteti minerar i Kirunës në Suedi do të zhvendoset, ndërtesë pas ndërtese, në një lokalitet të ri. Arsyeja është se minerale me vlerë janë zbuluar atje dhe shtëpitë kanë nisur të fundosen në tokë për shkak të gërmimeve.

Kiruna ndodhet 200 km në veri të rrethit Arktik dhe ishte ndërtuar për të strehuar punonjësit e një miniere hekuri të instaluar 125 vjet me parë, “L KAB”.

Shumica e banorëve të tij kanë mirëpritur lëvizjen, pasi morën pjesë në një konsultim mbi kërkesat e tyre.
“Ata donin vende ku të takoheshin, si për shembull një shesh të madh, që ne nuk e kishim. Të tjerë kërkuan një zonë me dyqane dhe, më e rëndësishmja, ishte aksesi tek natyra. Neve na pëlqen jeta në ambient të hapur”, u shpreh Clara Nyström.

Rivendosja e një sipërfaqeje prej 450 mijë metrash katrorë shtëpi, shkolla dhe qendra tregtare pritet të realizohet brenda vitit 2035. Një nga godinat më të rëndësishme është kisha ikonë e vitit 1912.

“Është me rëndësi të zhvendosim kishën për ne dhe qytetin. Njerëzit janë të lumtur që kisha po spostohet në një qytet të ri dhe nuk do të shembet. Mendoj se njerëzit mezi po e presin lëvizjen dhe ditën kur ajo do të ndodhë”, theksoi Lena Tjarnberg, famullitare në kishën luteriane të Kirunës.

Kiruna ka rreth 23 mijë banorë të vendosur në një territor me përmasat e Sllovenisë. Ajo ndodhet në një territor të mbrojtur që tërheq shumë turistë pasi ka pemë thuprash pyjore, tundra alpine, 7 lumenj dhe 6 mijë liqene.

Por zgjerimi i minierave shqetëson Samitët, popullin indigjen të Laplandit, që jetojnë kryesisht nga kopeja e drerëve.

Qeveria thotë se do të marrë parasysh nevojat e tyre dhe ftoi një prej lideerëve të fisit për të folur me shtypin.

“Diversiteti biologjik në Arktik është jetik edhe për njerëzit që jetojnë në kontinent. Nuk mund të varemi vetëm nga pyjet e Amazonës dhe të shtiremi se duke e mbrojtur atë na mundësohet të ruajmë zakonet e konsumit, nxjerrjen e burimeve natyrore dhe sigurimin e përfitimeve në Arktik ndër vite”, deklaroi Stefan Mikaelsson, nënkryetar i Parlamentit indigjen.

Kompania minerare njoftoi se do të përdorë së shpejti burime energjetike të pastra, që synojnë të jenë në qendër të të ashtuquajturit revolucioni industrial. Megjithatë, pyetjet mbeten.