Qytetërimi i vakëfit: një poezi humanizmi

Qytetërimi i vakëfit: një poezi humanizmi

Burhanettin KAPUSUZOĞLU

Si hartë kuptimore, historia është një thesar sekretesh që shpjegon se si njihen, komunikojnë dhe konkurrojnë kulturat dhe qytetërimet. Është një pirg përvojash, me të mira, gabime, neglizhenca, përpjekje, sevape e gjynahe, një poshtëshënim mësimi i kohës. Është vazhdimësia mendore dhe veprore e njeriut, kombeve dhe qytetërimeve. Është ndërtimi apo asgjësimi i së ardhmes nga e djeshmja, domethënë kujtesa, duke jetuar çastin për shkak të vazhdimësisë.

Si dije, historia është lufta për të kuptuar qenien, botën, njeriun, jetën e mjedisin, me qëllimin për të mbijetuar. Me hapjen e fletëve të historisë së madhe, çfarëdo që është shkruar aty nga manifestimet e bukurisë dhe të fuqisë hyjnore, çdo peshë e së djeshmes, i përcillet së ardhmes duke jetuar të tashmen.

Historia i ndjek pas kombet. Në këtë kuptim, historia është bagazhi i kohës dhe i njeriut. Sigurisht, ata që jetojnë çastin, nuk mbajnë përgjegjësi dhe as kanë meritë për të djeshmen, por e nisin jetën duke trashëguar ç’kanë përcjellë të djeshmit. Të përcjellat e kohës manifestohen si ndërtim ose si asgjësim. Sepse në mos u bekoftë me arsye të shëndoshë, njeriu bën atë që sheh.

Qytetërimi, që njihet në tryezën e diseksionit të historisë, si një pasqyrë që tregon që kaluarën duke e reflektuar tek e ardhmja, është një nivel i lartë mendimi e perceptimi, një buqetë morali e besimi që buron nga feja. Është një ekzistencë dhe përtëritje librore në gjithë madhështinë e saj. Qytetërimi është një rend përfshirës që përvetëson çdo kuptim që bart nocioni i qytetit. Nga kjo pikëpamje, mes fjalëve “fe-qytet”, domethënë “qytet-qytetërim” ka një lidhje të përbashkët.

Qytetërimi është qytetari. Është shpallje e një qytetarie që mishëron kulturën, etikën, virtytin, edukatën, finesën, dijen dhe urtësinë, mbrujtur me arsyen e shëndoshë, zemrën e shëndoshë dhe shijen e shëndoshë. Qytetërimi, si shprehje e një zhvillimi të madh të dijes, humane e shkencore, dhe të artit, në gjirin gjithëpërfshirës të besimit, ashtu siç shpreheshin të vjetrit, përfaqëson qëllimin dhe përpjekjen për t’u rritur nivelin e jetesës njerëzve që kanë arritur vetëdijen e të qenit “robër të Zotit”, duke ndërtuar viset dhe qytetet.

Qytetërimi ynë, e ka treguar veten në forma e shije të ndryshme sipas viseve, në produktet e pasura kulturore që përbëjnë identitetin e banorëve të tyre. Identitetet kulturore janë nëntituj nën titullin kryesor, dhoma të ndryshme të shtëpisë së qytetërimit ku hyhet nga e njëjta portë. Kultura jonë kombëtare që përbën veprat tona më të kulluara me të gjitha elementet e saj, është si selamllëku i kësaj shtëpie. Nuk ka dyshim se rrugëtimi i vazhdueshëm drejt Anadollit ku arritëm rafinimin dhe drejt qytetit të fronit, Stambollit, në këtë qytet arriti kulmin me një madhështi të pakrahasueshme.

Qytetet që kanë përfituar nga Stambolli fatlum janë qytete që qytetërimi ynë u ka fryrë shpirt e u ka dhënë jetë, ku elementetit e tij kulturore janë pasqyruar me gjithë madhështinë e delikatesën, ku tradita jonë mund të soditet pafundësisht nga këndvështrime të ndryshme, ku sundon stili. Jeta kulturore e qyteteve si Edirneja, Bursa, Shkupi e Sarajeva, me Stambollin në krye, me institucionet e sjella në jetë nga vakëfi, janë një poezi e shfaqur brenda një kulture të lartë.

Ngazëllimi mistik që ka depërtuar në kiminë e kulturës sonë ndihet gjithandej. Prandaj qytetërimi ynë i nderuar dhe kultura jonë e lartë është “klima shpirtmadhe e të parëve” “që aspiratë të jetës kishin takimin hyjnor”.

Në këtë klimë të paqtë pranverore, vakëfi është një fllad freskues…

Si një institucion social me njeriun në qendër, i sjellë në jetë me formë dhe frymë nga qytetërimi ynë, vakëfi përfaqëson një rend që ka jetuar dhe ka dhënë jetë për shekuj me radhë. Si sekreti ekzistencial i kombit tonë, vakëfi është një dokument themelimi dhe shpëtimi në kthimin e trojeve në vatan, në zbukurimin e tokës dhe në përjetimin e çdoo dite me hare bajrami.

Vakëfi, duke pasur për themel përcjelljen e besimit në jetë, është një dokument i bekuar pasurie, me kufij të përcaktuar, të vërtetuar e të regjistruar sipas kritereve ligjore, me ndikim të thellë në jetën sociale, që ka si parim vazhdimin dhe përforcimin e solidaritetit e të ndërgjegjes vëllazërore sipas konceptit të “pëlqimit hyjnor” dhe të “garimit në mirësi”.

Të parët tanë që erdhën para nesh për t’i bërë vatan trojet me shpalljet në dorë, ndërtuan qytete vakëfi. I hapën e i lulëzuan trojet e reja duke i bërë prej nesh në çehre e frymë qytetet me manifestimet e bukurisë hyjnore. I dhanë frymë gurit dhe me ngrohtësinë e drurit ngritën ndërtesa vakëf. Qëndisën motivet e qytetërimit tonë dhe rrënojat i kthyen në pallate. Në dritën e aureolës përfshirëse të dritës së kulturës dhe etikës, ose edepit, në lagje, teqe, medrese, xhami, çarshi, pazar, han, hamam, punishte, çezma publike, kafene e kuvende vepruan me dispozitat vlerore të shkruara në kartat e identitetit.  Sepse “meritë është të ndërtosh qytet”. Kështu u dehën me monumente dashurie nga agimi gjer në muzg. Të kaluarën e jetuan tek çasti. Kushdo që erdhi më pas, sigurisht, jetoi kohën e vet. Por edhe kështu, si zotër të kohës, ekzistuan duke i riartikuluar të prurat e kohës. Nga ky stil çdo vend mori hisen e vet të ndryshme në shije, ngjyrë e aromë.

Çdo qytet është reflektim i kulluar qytetërimor, i vendosur në një pozitë të fortifikuar si të ishte zemra e Anadollit dhe e Rumelisë. Nga kjo pikëpamje, historitë e qyteteve e të krahinave, të përfolura nga gjuha e të kujtuara nga zemra, janë pjesë të një të tëre madhështore, si dyzet dhomat e një konaku që lidhen të gjitha me sallën e madhe, me sofrën. Qytetet tona, të mbështetura me vakëfe si pjesë të ndryshme të historisë, i përmbajnë të gjitha elementet e kulturës dhe të qytetërimit tonë, ndorkëhë që janë përmbledhje të asaj që u ka rënë për hise nga historia e madhe. Qytetet tona vakëf janë shfaqur si shtretër manifestimi të kësaj hiseje.

Vakëfi është rezultat i thirrjeve të frymzuara nga rrënjët shpirtërore që i japin ngjyrë qenies, për të bërë mirë për hir të Krijuesit të Lartë, për të garuar në bamirësi duke iu shmangur dukjes, për dhembshuri ndaj njerëzve e kafshëve, për çdo lloj pastërtie, për ndërgjegje mjedisore e për ndihmë të ndërsjelltë. Kjo ndërgjegje e lartë që vihet re në jetën dhe aktet e Profetit e të shokëve të tij, i ka injektuar shenjtëri njerëzimit. Shumë shpejt u hartua udhëzuesi i dorës së dhembshur, u krijua institucioni dhe toka u shendua me të drejtën që e lejonte njeriun të mbetej i tillë.

 

Vakëfi është një ngrehinë njerëzore prej dashurie. Është përpjekja për ta realizuar me dhembshuri e dashuri përgjegjësinë e ndërgjegjes në rrugën e hapur nga vullneti i lirë. Si vepra të kësaj aspirate, duke filluar nga Turkistani me Transoksianën në qendër e deri në viset më të largëta, kudo janë ndërtuar e regjistruar si vakëfe shumë vepra publike, si xhami, ribate, varreza, hane, hamame, biblioteka, karvansaraje, medrese, teqe, mejtepe, çezma, burime, ura, mullinj, rrugë, spitale, imarete, vreshta e kopshtije. Si një institucion qytetërimor bamirësie, për shekuj me radhë vakëfi ka ndikuar tej mase në jetën sociale, ekonomike e kulturore të çdo vendi.

Pas periudhës së hershme në historinë e myslimanëve, vakëfe janë ngritur në të gjitha shtetet myslimane e turke, si samanët, karahanët, gaznevitët, selçukët, selçukët e Anadollit, bejliqet e Anadollit, ejubidët, timuridët, mogulët, memlukët dhe Perandoria Osmane. Edhe çliruesi i Kudsit Selahaddin Ejubiu, ka themeluar shumë medrese dhe një kuzhinë të madhe (hânkah) për t’u paguar lirimin robërve gjatë kryqëzatave, për ta rrënjosur fort traditën sunnite dhe për t’u përmbushur nevojat hoxhallarëve, dervishëve e të konvertuarve të rinj në Islam dhe për të siguruar vazhdimin e këtyre kontributeve të mëdha e të rëndësishme, ka ndarë si vakëf një pjesë të konsiderueshme të trojeve që i përkisnin thesarit të shtetit.

Selçukët, për të bërë të mundur një përtëritje dijeje kundrejt ideve të konsideruara jashtë rrugës kryesore dhe kaosit të shkaktuar prej tyre, themeluan në Bagdad medresetë e Adhamijes së pari, si qendër e shkollës hanefite, e pastaj të Nizamijes, të cilat i mbështetën me vakëfe. Krahas kësaj, nga vakëfet caktuan edhe të ardhura për përmbushjen e nevojave, bërjen synet dhe dhënien e dijeve themelore për të konvertuarit e rinj, me qëllimin për ta nxitur procesin e konvertimit.

Pushtimet e mëdha që selçukët realizuar me iniciativat e mrekullueshme ushtarake, fituan qëndrueshmëri falë misionit islamizues dhe turqizues të vakëfeve në Anadoll. Në qytetet e marra nga pushtimet e para deri në kohën e themelimit të dinastisë osmane, nëpërmjet shtetarëve dhe të pasurve menjëherë filloi ndërtimi i veprave të nevojshme bamirëse.

Si një institucion vakëfnor që i shërbente ngulitjes dhe kolonizimit, zavijet u ngritën në vende të pabanuara tranzitore, duke i shërbyer në vazhdimësi edhe sigurisë së rrugëve e të territoreve përreth. Zavijet vakëfnore që u themeluan, në qytete nxitën ngritjen e lagjeve të reja, kurse në zona rurale, të fshatrave të reja dhe dhanë një kontribut një rol shumë të rëndësishëm për ngulitjen dhe islamizimin e Anadollit mes shekujve 12 dhe 15.

Mirëmbajtja e veprave, pagimi i punonjësve dhe përmbushja e çdo nevoje për udhëtarët në veprat vakëfnore siguroheshin nga të ardhurat e vakëfit. Teksa Anadolli bëhej vatan, nga qytetet e mëdha deri në zonat e largëta vendi u ndriçua me xhami, medrese, kervansaraje, ura, hamame, rrugë, imarete, zavije e spitale. Qytetet që u zhvilluan me prurjet e mëdha demografike e ndryshuan me shpejtësi territorin përreth. Falë qetësisë dhe sigurisë që u vendos qytetet u organizuar me shpejtësi fizikisht, kurse me popullsinë turke që u rrit u shpejtua turqizimi dhe islamizimi.

Vakëfet luajtën rol të rëndësishëm në politikat e popullimit. Pas arritjeve të njësive ushtarake, disa fise që kërkonin territor për t’u vendosur vinin dhe vendoseshin në vendet e pabanuara. Para dyndjeve ushtarake, shehlerët dhe dervishët zakonisht vinin të parët në disa zona me rëndësi strategjike dhe themelonin teqe e zavije për t’u fituar zemrat popullsisë jomyslimane.

Me përparimin ushtarak, vullnetarët e tarikateve e bartën veprimtarinë drejt perëndimit duke hedhur themele të shëndosha falë organizimit të tyre. Problemi i ngulitjes u kapërcye falë përpjekjeve të tarikateve. Teqetë dhe zavijet e bënë më të lehtë politikën osmane të ngulitjes. Këto vatra që çdo shpenzim e kryenin me anë të vakëfeve, shërbyen si baza shpirtërore. Edhe urdhri i Ahilikut, që kujdesej posaçërisht për ruajtjen e etikës profesionale, u bë pjesë e politikës shtetërore për të parandaluar kthimin e parasë në përbindësh. Ky urdhër që dinte ta jepte mesazhin e duhur pa i lënduar sedrat, ka marrë pjesë edhe në luftë dhe ka nxitur për këtë burrat e aftë. Historia është deshmitare se veprimtaritë madhështore të ahilerëve në botën e furishme të Turqisë selçuke, edhe pas mbirjes së rrapit të Perandorisë Osmane i ofruan kudo shërbimet dhe kontributet e tyre.

Duke u lënë vakëf troje të mëdha teqeve dhe zavijeve të erenëve të Anadollit, të cilëve gjindja ua njihnin karakterin e traditën shpirtërore dhe i donin e i respektonin, shteti mbajti në kontroll edhe një shtresë të gjerë njerëzisht të krijuar rreth këtyre personaliteteve qendrore. Për shembull, dihet mirë se personalitete nga periudhat selçuke dhe osmane, si Mevlana Xhelaledin Rumiu, Haxhi Bektashi Veliu, Haxhi Bajram Veliu, Sejid Burhaneddin Veliu, Emirxhe Sulltan Veliu, Sheh Ali Shiri, me teqetë dhe vakëfet e tyre, para së gjithash i kanë shërbyer qetësisë dhe sigurisë së zonës.

Ndarja për bamirësi e trojeve në pronësi shtetërore por të lëna në shfrytëzim popullatës si dhe sigurimi i disa privilegjeve në këtë kuadër, qe një metodë që do të nxiste ngulitjen dhe do të shërbente si elementi kryesor për sigurimin e unitetit e të mirëqenies lokale. Në këtë mënyrë shfrytëzoheshin tokat boshe, sigurohej në vazhdimësi prodhimi bujqësor dhe gjallëria ekonomike. Me ngulitjen rrënjësore të sistemeve të timarit e të vakëfit, për të siguruar shfrytëzimin e vazhdueshëm të tokave, shmangeshin shumë probleme dhe punët viheshin në udhë brenda një rregulli të caktuar. Të drejtat për përdorimin e trojeve u jepeshin hoxhallarëve, shehlerëve, njerëzve me merita për shtetin, pashallarëve, bejlerëve, veteranëve të shquar dhe administratorëve të suksesshëm të shtetit. Sigurisht, kjo shtresë nuk mënonin që të linin prona vakëf.

Pasi u bë vatan Rumelia e pushtuar, bejlerëve të veshur me autoritet, shumica të ardhur nga Anadolli, iu dhanë troje. Në këtë mënyrë, bejlerët e provincave që kontrolloheshin rreptësisht nga qendra, kryenin funksione si vjelja e taksave, rekrutimi i ushtarëve dhe ruajtja e rendit dhe e sigurisë. Këta gjithashtu merrnin çdo masë për t’i begatuar burimet njerëzore.

Me themelimin e vendbanimeve të reja nga shehlerët e dervishët në Rumeli, sigurohej rendi dhe sigura e rrugëve dhe ky shërbim ndaj njerëzve kthehej si kontribut për rendin e ri. Me koagulimin dhe shtimin e komuniteteve rreth këtyre institucioneve, vendet nisën të lulëzonin kulturalisht dhe ekonomikisht. Në këtë mënyrë u bë realitet ajo që përshkruan poeti kur thotë: “Me qeramet sexhaden popullit ia shtrive/Me dorën e devotshmërisë Rumelinë e more.” Me dobitë e shërbimit ndaj njeriut për hir të Zotit dhe të shmangies nga çdo gjë e pahijshme duke ruajtur çdo bukuri morale, Rumelia u arrit të merrej kësisoj me përpjekjet e të devotshmëve.

Si organe sociale që i shërbyen themelimit dhe ruajtjes së rendit osman, përhapjes së solidaritetit, ngjizjes së dashurisë së ndërsjelltë mes individëve dhe së mirës së njerëzimit në të dyja botët, vakëfet u bënë një nga elementet bazë të aparatit shtetëror.

Institucioni i vakëfit, i mbjellë e i lulëzuar nga besimi, sipas rrethanave sociale dhe ekonomike hapi rrugë të reja dhe bëri punë ë jashtëzakonshme në mbështetjen e popullit duke u ofruar shërbime pa diskriminim. Mbështetja e të varfërve në shoqëri, sigurimi i punës për të papunës dhe i ushqimit për të pangrënët, parandalimi i konflikteve dhe trazirave, hapja e insitucioneve arsimore e shëndetësore, ndërtimi i vendadhurimeve dhe përmbushja e çdo nevoje sociale, të gjitha këto u realizuan falë punës së vakëfeve si mishërime të ndërgjegjes vakëfnore.

Në këtë kuadër u ndërtuan shembujt më të bukur të komplekseve vakëfnore si kryevepra arkitektonike, duke siguruar estetikën e qyteteve e të vendbanimeve të krijuara rreth këtyre monumenteve. Në këtë pikë mjafton të kujtojmë faktin se qytetet e rrënuara nga tërmetet shumë shpejt rindërtoheshin më të bukura se ç’kishin qenë.

Si një frymë që na del përpara në çdo shkallë të rrugëtimit tonë ekzistencial, vakëfi është manifestim i karakterit dhe personalitetit tonë. Është vepër e një ndërgjegjeje dhe vetëdijeje të lartë. I administruar si duhet, është një burim shumë i dobishëm për t’iu rikthyer dinjitetin të rënëve në ngushticë dhe një zgjidhje shumë efikase kundër varfërisë. Është një barrikadë e fortë kundër rrezikut të monopolizimit të kapitalit me qarkullimin e parasë e të pronës në duart e një pjese të vogël njerëzish dhe një mjet për shpërndarjen e drejtë të të ardhurave.

Si fjalë të fundit, falë vakëfeve me ndikim përcaktuar në çdo fushë të jetës, njeriu lindte në shtëpi vakëf, rritej në djep vakëf, hante e pinte nga ushqime vakëf, jetonte në shtëpi vakëf, mësonte në mejtep e medrese vakëf, merrte bursë vakëf, studionte nga libra vakëf në biblioteka vakëf, jepte mësim në mejtepe e medrese vakëf, pinte nga çezma vakëf, ecte në rrugë vakëf, kalonte mbi ura vakëf, kërkonte shërim në spitale vakëf, e pastronte zemrën në teqe vakëf, merrte kredi nga vakëfi për të ngritur apo rritur biznesin, blinte e shiste në çarshi vakëf, punonte e paguhej nga vakëfi, kur ndërronte jetë vendosej në tabut vakëf, i falej xhenazeja në xhami vakëf dhe varrosej në varrezë vakëf.

Si një botë kaq përfshirëse dhe një fjalë autentike që i fliste çdo fushe të jetës nën qiellin tonë, vakëfi është shembulli më i kulluar i trajtimit të krijimit me dhembshuri.

MARKETING