QMK: Janë regjistruar 12 zjarre në ambient të hapur, katër janë ende aktivë

Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK) informon se deri në ora 18:30 sot janë regjistruar gjithsej 12 zjarre në ambient të hapur në territorin e shtetit. Prej tyre, katër zjarre ende janë aktivë, ndërsa tetë janë shuar me sukses.
Mes zjarreve aktive, më serioze janë ato në komunën Makedonski brod, ku po digjet pylli i degraduar i lisit, shkurre dhe bimësi e ulët mes fshatrave Creshnevë, Llokvicë, Krapë dhe Slatinë. Zjarre aktive janë raportuar edhe në komunën e Velesit, pranë fshatrave Xhidimirc dhe Krushje, ku po digjet pyll i përzier.
Një zjarr është aktiv edhe në komunën Çuçer Sandevë, në fshatin Gornjan, ku po digjet pyll me kërcell të ulët. Situatë e ngjashme është edhe në komunën e Dojranit, në fshatin Nikoliq, ku është prekur pyll me kërcell të ulët.
Nga ana tjetër, QMK informon se tetë zjarre janë shuar në vende të ndryshme. Në Prilep, në vendbanimin “Tri Bagremi”, është shuar zjarr në bimësi të ulët. Në komunën e Vinicës, janë shuar dy zjarre – në fshatin Dragobrashtë, ku po digjej bimësi e degraduar e ulët dhe në fshatin Leski, ku u dogjën mbeturina.
Zjarre u shuan edhe në fshatin Vojshanc, komuna Demir Kapi, si dhe në fshatin Frangovë, komuna Strugë, ku është djegur kashtë. Në Likovë, në fshatin Hotël, dhe në Tetovë, në fshatrat Përshov – Jegunovc dhe Strimnicë – Falishtë, janë shuar zjarre në bimësi të degraduar të ulët.
QMK u bën thirrje qytetarëve të jenë veçanërisht të kujdesshëm kur lëvizin dhe kryejnë aktivitete në natyrë, veçanërisht në kushte të temperaturave të larta dhe motit të thatë, gjë që rrit ndjeshëm rrezikun për paraqitje dhe përhapje të zjarreve.