Qindra tërmete në ditë, vullkani nënujor gati të shpërthejë

Një nga vullkanet më aktivë nënujorë në botë, Axial Seamount, i vendosur rreth 400 kilometra larg bregut të Oregonit dhe 1.4 kilometra nën sipërfaqen e oqeanit, po shfaq shenja të fuqishme aktiviteti dhe mund të shpërthejë së shpejti, paralajmërojnë shkencëtarët nga Universiteti i Uashingtonit.
MARKETING
Sipas profesor William Wilcock, shpërthimi mund të ndodhë në fund të vitit 2025, në fillim të vitit 2026, ose madje edhe nesër, duke parë intensitetin e tërmeteve të regjistruara së fundmi – qindra në ditë, një tregues i mbushjes së dhomës së magmës. Axial Seamount ndodhet mbi kurrizin tektonik të Juan de Fuca, ku takimi i pllakave litosferike krijon presion të lartë nëntokësor.
Shpërthimi i fundit ndodhi në prill 2015, kur u regjistruan mbi 10,000 tërmete në 24 orë, dhe magma u përhap në një shtrirje prej 40 kilometrash në dyshemenë e oqeanit. Zona është kthyer në një habitat për krijesa nënujore që ushqehen nga gazrat mineralë të burimeve hidrotermale. Sipas profesoreshës Debbie Kelley, edhe pse shpërthimet dëmtojnë jetën përkohësisht, ajo rikthehet brenda pak muajsh.
Për herë të parë, shpërthimi i radhës do të transmetohet drejtpërdrejt për publikun, falë observatorit Regional Cabled Array, që lejon vëzhgim në kohë reale të aktivitetit vullkanik. Shkencëtarët po studiojnë gjithashtu rolin e forcave hënore dhe të baticës, pasi të tre shpërthimet e fundit ndodhën gjatë muajve janar-prill.
Ndërkohë në Bolivi, vullkani i fjetur Uturuncu, i quajtur ndryshe “vullkani zombie”, nuk ka shpërthyer për më shumë se 250,000 vjet, por vazhdon të shfaqë tërmete të herëpashershme dhe emetim gazrash, duke ngritur dyshime për një aktivitet nëntokësor të pazakontë. Shkencëtarët mendojnë se lëvizja e magmës dhe gazeve nën sipërfaqe është përgjegjëse për këtë fenomen, duke e kthyer Uturuncun në një objekt vëzhgimi të veçantë në Andet Qendrore.