Qeveria vendosi: Kontrolle të jashtëzakonshme në të gjitha firmat për prodhimin e kanabisit medicinal
Do të zbatohen kontrolle të jashtëzakonshme në të gjitha firmat për prodhimin e kanabisit medicinal, vendosi Qeveria në mbledhjen e sotme.
“Qeveria i ngarkoi institucionet, në kuadër të kompetencave të tyre, që t’i ndërmarrin të gjitha masat dhe aktivitetet e përcaktuara me ligj dhe të kryejnë kontrolle të jashtëzakonshme ndaj të gjithë personave juridikë që kanë leje për kultivimin dhe prodhimin e kanabisit për qëllime mjekësore në të gjithë territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe brenda afatit prej 45 ditësh të dorëzojnë raport në Qeveri”, njoftoi zëdhënësja e Qeverisë, Venera Azizi.
Gjithashtu, Qeveria do të emërojë anëtarët e Komisionit shtetëror ndërinstitucional për luftën kundër prodhimit të paligjshëm, tregtisë dhe keqpërdorimit të drogës.
“Që nga viti 2017, kur është formuar komisioni, ai nuk ka qenë aspak aktiv dhe nuk ka pasur rezultate. Për këtë qëllim, Qeveria në të ardhmen do të kërkojë raporte të rregullta”. thekson Azizi

